Një muaj pas tragjedisë së avioni të Air India, që mori jetën e 271 personave, ish-inspektorja e Përgjithshme e Departamentit të Transportit në SHBA, Mary Schiavo, ka hedhur një teori të re për shkakun e rrëzimit. Sipas saj, një gabim kompjuterik mund të ketë bërë që motorët e avionit Boeing 787 Dreamliner të reduktonin fuqinë menjëherë pas ngritjes nga pista në Ahmedabad.
“Besoj se kemi të bëjmë me një problem në kodimin kompjuterik të avionit. Ka ndodhur më parë me avionë të tipit 787, si në një fluturim të ANA në Japoni në vitin 2019,” tha Schiavo për The Mirror.
Sipas saj, nëse kompjuteri nuk arrin të kuptojë që avioni është në fluturim, motorët mund të ulin fuqinë sikur të ishte ende në tokë. Kjo hipotezë bie ndesh me atë të analistit tjetër, Steve Schreiber, i cili sugjeron se bëhet fjalë për dështim të dyfishtë të motorëve për shkak të defekteve elektrike ose hidraulike, shkruan A2 CNN.
Një tregues i rëndësishëm është aktivizimi i Ram Air Turbine (RAT), një turbinë ndihmëse që aktivizohet vetëm në rast humbjeje të plotë të fuqisë elektrike ose presionit hidraulik. Kjo u konfirmua edhe nga pamjet e aksidentit.
Dëshmia e të mbijetuarit të vetëm, britanikut Vishwash Ramesh, mbështet teorinë e dështimit teknik. “Menjëherë pas ngritjes, avionit iu fikën dritat,” tregoi ai nga spitali.
Ndërkohë, “kutia e zezë” e avionit është gjetur dhe autoritetet indiane dhe amerikane po kryejnë hetime paralele. Por ekspertë si Joe Jacobsen, ish-punonjës i Boeing dhe FAA, kritikojnë vonesat. Sipas tij, 95% e të dhënave mund të analizohen brenda pak ditësh, por për çështje politike dhe menaxhimi, publikimi zgjat me muaj.
Në Indi, kontrolli i mirëmbajtjes është vënë në dyshim pas auditimeve që zbuluan defekte të përsëritura në avionët e linjave kryesore. Air India ka pezulluar disa fluturime me Dreamliner, ndërsa shtohen shqetësimet për sigurinë e këtij modeli, që ka qenë objekt akuzash nga disa ish-punonjës të Boeing për përdorim të pjesëve të parregullta.
Hetimi zyrtar pritet të japë një raport paraprak brenda muajit, ndërsa raporti përfundimtar mund të zgjasë deri në një vit. (A2 Televizion)