Dasma mes rrënojave, fustani i nusërisë bëhet luks në Gaza, kushton sa mbijetesa

Nga Rosalba Bejdo
18 Maj 2026, 22:20 | Bota

Në një punishte të vogël qepjeje në jug të Gazës, Nisreen Al Rantisi merr copa pëlhure nga një grumbull dhe transformon fustane nusërie të përdorur, duke u përpjekur të mbajë gjallë një traditë që po zbehet mes luftës dhe rritjes së jashtëzakonshme të çmimeve.

Familjet thonë se po hasin vështirësi të mëdha për të gjetur fustane të reja nusërie dhe shumë prej tyre po kërkojnë vende ku riparohen fustanet dhe rrobat për fëmijët. Importuesit përmendin vonesat, kostot e larta të transportit dhe kufizimet për materiale të ndryshme — si kristalet që përdoren në fustanet luksoze të nusërisë — si arsyet kryesore të mungesës së produkteve dhe rritjes së çmimeve. Shumë punishte janë dëmtuar gjithashtu gjatë konfliktit.

NISREEN AL-RANTISI: “Përpiqemi t’i ripërdorim fustanet e vjetra që kemi — i rikthejmë duke i rregulluar pak, punojmë mbi to, i lajmë, i sistemojmë dhe u japim formë. Sigurisht, në fillim nisëm të punonim me makinën e qepjes që funksionon me biçikletë, pa energji elektrike.”

Rantisi tha se para luftës e blinte pëlhurën për rreth 40 deri në 50 dollarë, ndërsa tani paguan rreth 170 dollarë.

NISREEN AL-RANTISI: “Kjo është pëlhura me të cilën punoj, kjo përdoret për fustanet e nusërisë dhe ato të vajzave të vogla. Para luftës e blija për 40 ose 50 dollarë. Sot e blej për 170 dollarë. Çmimet janë absurde dhe jashtëzakonisht të larta. Kjo ka sjellë një rritje të madhe të kostos së fustaneve të nusërisë dhe atyre për fëmijë. Po jetojmë në një rreth vicioz të krijuar nga lufta që ka ndikuar tek të gjithë ne.”

COGAT, agjencia ushtarake izraelite që kontrollon hyrje-daljet në Gaza, nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment.

Pjesa më e madhe e mbi 2 milionë banorëve të Gazës janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre dhe shumë prej tyre jetojnë tashmë në banesa të bombarduara ose në çadra të improvizuara të ngritura në hapësira të hapura, buzë rrugëve apo mbi rrënojat e ndërtesave të shkatërruara, pas dy vitesh lufte me Izraelin.

Pavarësisht vështirësive, disa çifte ende gjejnë mënyra për të festuar. Në Gaza janë organizuar edhe dasma kolektive, duke ofruar një moment të rrallë gëzimi mes shkatërrimit. Punonjësit e dyqaneve thonë se lufta i ka çuar çmimet përtej çdo mundësie për qytetarët.

RAWAN SHALOUF: “Para luftës, çmimet ishin të përballueshme për të gjithë; njerëzit i pranonin sepse merrej parasysh gjendja e tyre ekonomike. Por tani, në kushtet ku jetojmë, çmimi i një fustani është absurd.

Në të gjithë Gazën, nuset dhe familjet e tyre po përballen me vështirësi për të përballuar edhe nevojat më bazike të një dasme.

Shahed Fayez, 21 vjeç, pritet të martohet pas rreth katër ditësh, por ende nuk ka mundur të gjejë një fustan.

SHAHED FAYEZ: “Dasma ime është pas rreth katër ditësh. Kemi gati dy javë që po kërkojmë në të gjithë Gazën, nga një dyqan në tjetrin, dhe nuk po gjejmë asnjë fustan të përshtatshëm për dasmën. Nuk po gjejmë fustan. Nuk më intereson modeli, rëndësi ka të jetë i ri. Të gjithë fustanet janë të përdorur, të konsumuar, jo të denjë për lumturinë që po përjetojmë. Fustani më i lirë kushton mbi 1 mijë dollarë, ndërsa ne kemi më pak se 200 dollarë. E gjithë paja nuk mjafton as për çmimin e një fustani.”

Në një territor ku mbijetesa është kthyer në sfidën e përditshme, edhe një fustan nusërie është bërë simbol i krizës humanitare. Por pavarësisht luftës, rrënojave dhe pamundësisë ekonomike, shumë palestinezë vazhdojnë të kërkojnë arsye për të festuar jetën. Sepse në Gaza, edhe mes errësirës së luftës, dëshira për shpresë dhe normalitet nuk është zhdukur. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos