Dënohet me burgim të përjetshëm ish-kryebashkiakja filipinase, akuzohet për trafikim njerëzor

Nga A2 CNN
20 Nëntor 2025, 07:30 | Bota

Dënohet me burgim të përjetshëm ish-kryebashkiakja

Një ish-kryebashkiake nga Filipinet, e akuzuar për spiunazh në favor të Kinës, është shpallur fajtore për trafikim qeniesh njerëzore për rolin e saj në drejtimin e një qendre të madhe mashtrimi online.

Alice Guo, 35 vjeçe, u dënua të enjten me burgim të përjetshëm dhe një gjobë prej 2 milionë pesos (rreth 33,800 dollarë). Së bashku me të u dënuan edhe tre persona të tjerë të përfshirë në skemë. Vendimi vjen pas një hetimi shumëvjeçar që ka përfshirë vendin, ndërsa autoritetet zbuluan në qytetin Bamban një nga qendrat më të mëdha të mashtrimit në Filipine, shkruan A2 CNN.

Policia shpëtoi rreth 800 persona, filipinas dhe të huaj, të cilët thanë se ishin detyruar të kryenin mashtrime të njohura si "kasaphana e derrave", skema manipulimi online ku viktimat joshen dhe më pas zhvatën financiarisht.

Guo, e arrestuar vitin e kaluar pas disa javësh në arrati, i ka mohuar të gjitha akuzat. Hetimet ligjore ndaj saj mbeten të hapura, pasi ndaj ish-kryebashkiakes po zhvillohen edhe pesë procese të tjera, përfshirë një për pastrim parash.

Alice Guo u zgjodh kryebashkiake e Bambanit në vitin 2022 dhe më parë ishte parë nga banorët si një udhëheqëse empatike. Por qetësia e qytetit u trondit në vitin 2024, kur autoritetet zbuluan qendrën e madhe të mashtrimit, e maskuar si një platformë e lojërave të fatit online, e tipit Pogo (Operacionet e Lojërave Online Filipinase).

Pogo-t u shërbejnë kryesisht klientëve në Kinën kontinentale, ku bixhozi është i paligjshëm, çka ka bërë që aktiviteti i tyre në Filipine të jetë prej kohësh objekt hetimesh.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos