Konferenca e Kombeve të Bashkuara për klimën ka përfunduar në kaos, pasi Bashkimi Evropian dhe disa vende të tjera kanë refuzuar draft marrëveshjen përfundimtare, të propozuar nga drejtuesit e samitit COP31, Turqia dhe Australia.
Pas më shumë se dy javësh negociatash, palët nuk arritën konsensus, duke shënuar një nga dështimet më të rëndësishme të diplomacisë klimatike që prej samitit të Kopenhagës në vitin 2009.Shkak për përplasjet u bë mungesa e referencave të qarta për lëndët djegëse fosile, si nafta, gazi dhe qymyri, të cilat shkencëtarët i konsiderojnë ndër faktorët kryesorë të ngrohjes globale. Bashkimi Evropian dhe Panamaja kundërshtuan tekstin, duke e cilësuar të pamjaftueshëm përballë përmasave të krizës klimatike. Një përfaqësues i unionit ka akuzuar disa vende prodhuese të naftës se po pengojnë dhe po marrin peng negociatat klimatike.
“Ne nuk do të pranojmë një konferencë COP që i paraqet në mënyrë të rreme lëndët djegëse fosile si të pajtueshme me objektivat klimatike. Draftet e paraqitura përpara nesh nuk adresojnë aspak emergjencën klimatike me të cilën po përballemi. Për këtë arsye, Bashkimi Evropian nuk mund t'i pranojë ato.”
Ndërkohë, Arabia Saudite dhe vende të tjera prodhuese të naftës kundërshtuan përfshirjen e angazhimeve të drejtpërdrejta për largimin nga karburantet fosile, duke mbështetur zhvillimin e teknologjive për kapjen dhe largimin e karbonit nga atmosfera. Qëndrimit të tyre ju bashkua dhe Rusia, e cila në fjalën e saj në samit kritikoi drejtpërdrejt edhe Bashkimin Evropian. Përplasjet vijnë në një moment kritik, pasi parashikimet tregojnë se ngrohja globale pritet të tejkalojë pragun prej 1.5 gradësh Celsius, të përcaktuar në Marrëveshjen e Parisit.
Edhe pse dështimi i samitit nuk anulon angazhimet e mëparshme ndërkombëtare, ai përbën një goditje të fortë për përpjekjet globale për të frenuar ndryshimet klimatike. (A2 Televizion)