“Do ta shkarkoj nga puna”, prokurorët amerikanë pezullojnë gjyqin ndaj Trump

Nga Erjon Dervishi
26 Nëntor 2024, 00:21 | Bota

Presidenti i zgjedhur i SHBA, Donald Trump, është liruar nga akuza për protestat e Kapitolit të janarit të vitit 2020. Prokurori i posaçëm Jack Smith ka hequr dorë nga akuzat kundër Trump, duke kërkuar pezullimin e rasteve në dosjet gjyqësore të hënën, shkruan A2 CNN.

Trump ka thënë se do të shkarkojë Smithin sapo të rimarrë detyrën, duke thyer normat e mëparshme rreth hetimeve të këshilltarëve specialë.

“Pozicioni i Departamentit (të Drejtësisë) është që Kushtetuta kërkon që kjo çështje të pushohet përpara se i pandehuri të inaugurohet”, shkroi Smith për çështjen e përmbysjes së zgjedhjeve në një dosje prej gjashtë faqesh me gjyqtaren e Gjykatës së Qarkut të SHBA, në Uashington, DC.

“Ky rezultat nuk bazohet në meritat ose fuqinë e çështjes kundër të pandehurit”, shtoi ai.

Ndjekja kriminale e Smith ndaj Trump gjatë dy viteve të fundit për përpjekjen për të përmbysur zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 dhe keqpërdorimi i tij i dokumenteve të klasifikuara përfaqësoi një kapitull unik në historinë amerikane. Asnjëherë më parë një ish-banor i Shtëpisë së Bardhë nuk është përballur me akuza penale federale.

Megjithëse çështja e përmbysjes së zgjedhjeve kulmoi këtë verë me një vendim historik të Gjykatës së Lartë që thoshte se Trump gëzonte njëfarë imuniteti presidencial nga ndjekja penale, strategjia e Trump për vonimin e çështjes siguroi që një gjyq të mos fillonte kurrë përpara zgjedhjeve të nëntorit.

Në çështjen zgjedhore me të cilën u përball Trump në Uashington, DC, Smith akuzoi ish-presidentin për përpjekjet e tij për të përmbysur humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020, një komplot që kulmoi me sulmin e 6 janarit 2021, në Kapitol.

Kthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë la disa çështje penale në nivel shtetëror kundër tij gjithashtu në harresë. Dënimi i tij në shtetin e Nju Jorkut është vonuar pafundësisht. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos