Luftën nga paqja po e ndan vetëm një firmë… dhe ajo qëndron në dorën e presidentit, Donald Trump. Zyrtarët amerikanë konfirmuan se është arritur një marrëveshje paraprake në bisedimet midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, megjithëse kreu i Shtëpisë së Bardhë nuk e ka nënshkruar atë për shkak të situatës së tensionuar në Lindjen e Mesme. Gjithashtu mbetet e paqartë nëse udhëheqësi suprem i Iranit e ka dhënë miratimin e tij, një hap tjetër i nevojshëm drejt përfundimit të konfliktit.
CNN raporton se memorandumi i mirëkuptimit do të përfshinte heqjen e kufizimeve në Ngushticën e Hormuzit, lundrimin e pakufizuar të anijeve dhe heqjen e bllokadës amerikane. Do të fillonte një periudhë negociatash 60-ditore për të adresuar programin bërthamor të Iranit, duke përfshirë edhe fatin e rezervave të tij të uraniumit të pasuruar në nivele të larta. Burimet e CNN thanë se çështjet më të vështira që lidhen me programin bërthamor të Iranit ende duhet të zgjidhen si pjesë e këtyre bisedimeve.
Marrëveshja paraprake vjen një ditë pasi Trump tha se nuk do të nxitohej për një marrëveshje, duke paralajmëruar se përpjekjet e Iranit për ta tejkaluar nuk do të funksionojnë, sepse atij nuk “i interesojnë zgjedhjet e mesmandatit”.
Më herët të enjten, Komanda Qendrore e SHBA-së konfirmoi se Irani lëshoi një raketë balistike drejt Kuvajtit gjatë natës, e cila u rrëzua. Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit tha më parë se kishte nisur një sulm që synonte një bazë ajrore amerikane, duke pretenduar se ajo ishte burimi i sulmeve amerikane.
Sipas një zyrtari amerikan, këto sulme kishin në shënjestër dronët iranianë dhe një vend lëshimi pranë Ngushticës së Hormuzit. Sekretari i Thesarit i SHBA-së, Scott Bessent, kërcënoi Omanin nëse mbështet Iranin në pengimin e tregtisë përmes Ngushticës së Hormuzit, një ditë pasi Trump kërcënoi se do ta “hedhë në erë” Omanin nëse ai do të përpiqej ta kontrollonte ngushticën së bashku me Iranin. (A2 Televizion)