
Sulmet ajrore të Izraelit kanë shkaktuar të paktën katër viktima dhe disa të plagosur në jug dhe lindje të Libanit, sipas Agjencisë Kombëtare të Lajmeve libaneze.
Në qytetin Sahmar, në rajonin e Bekaa-s Perëndimore, një sulm me dron goditi besimtarët që po largoheshin nga një xhami pas faljes së të premtes, duke vrarë dy persona dhe duke plagosur 11 të tjerë. Ky incident ka shkaktuar reagime të forta, pasi objektiv janë bërë civilë në një moment fetar, përcjell A2CNN.
Sulme të tjera janë raportuar edhe në zona të ndryshme të vendit. Në Qalawiya, një person humbi jetën si pasojë e një goditjeje të veçantë, ndërsa në Yahmar al-Shaqif, në distriktin Nabatieh, raportohet për një tjetër viktimë.
Këto zhvillime vijnë në një kohë tensioni të lartë në kufirin mes Izraelit dhe Libanit, ku përplasjet dhe sulmet ajrore janë shtuar ndjeshëm javët e fundit. Situata mbetet e paqëndrueshme, ndërsa ekziston frika për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit në rajon.
Autoritetet lokale dhe organizatat humanitare kanë bërë thirrje për përmbajtje dhe mbrojtjen e civilëve, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po ndjek nga afër zhvillimet në terren. (A2 Televizion)