
Forcat ushtarake të Izraelit kanë njoftuar se synojnë të godasin dy ura strategjike në Luginën Lindore të Libanit, Sohmor dhe Mashghara, duke urdhëruar banorët vendas të largohen menjëherë nga zonat përreth për shkak të rrezikut nga sulmet, përcjell A2CNN.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite për gjuhën arabe, Koloneli Avichay Adraee, deklaroi në rrjetin X se goditjet kanë si qëllim të pengojnë transferimin e forcave të përforcimit dhe pajisjeve ushtarake në rajon, duke u fokusuar mbi infrastrukturën kyçe që mund të përdoret për qëllime ushtarake.
Urat Sohmor dhe Mashghara konsiderohen të rëndësishme për lidhjet logjistike në Luginën e Bekaa, një zonë që ka shërbyer historikisht si rrugë kalimi për armë dhe pajisje nga grupet e armatosura në veri-lindje të Libanit. Sulmet e planifikuara vijnë në një kohë të tensionuar në rajon, ku incidentet ushtarake midis Izraelit dhe forcave libaneze ose grupeve të armatosura të lidhura me Iranin janë rritur.
Autoritetet lokale në Liban po bëjnë thirrje për qetësi dhe paralajmërojnë banorët të ndjekin urdhërat për evakuim, për të shmangur humbjet e mundshme njerëzore dhe dëmet në infrastrukturë. (A2 Televizion)