
Negociatat mes Afganistanit dhe Pakistanit po përparojnë në mënyrë të qëndrueshme, njoftoi të premten Kina, pas raportimeve se dy vendet e Azisë Jugore po zhvillojnë takime për t’i dhënë fund konfliktit të tyre më të rëndë që nga rikthimi në pushtet i talebanëve në vitin 2021, përcjell A2CNN.
Kina, e cila ndan kufi perëndimor me të dy vendet, ka ndërmarrë rol ndërmjetësues mes ish-aleatëve që tashmë janë bërë kundërshtarë, duke zhvilluar biseda telefonike me ministrat e jashtëm dhe duke dërguar një të dërguar të posaçëm për vizita gjatë muajit mars.
“Të dyja, Pakistani dhe Afganistani, i kushtojnë rëndësi dhe e mirëpresin ndërmjetësimin e Kinës dhe janë të gatshëm të ulen sërish për bisedime, çka është një zhvillim pozitiv,” tha zëdhënësja e ministrisë së jashtme kineze, Mao Ning, gjatë një konference për shtyp.
Mao nuk specifikoi vendndodhjen e bisedimeve, megjithëse më parë është bërë e ditur se ato mund të zhvillohen në qytetin veriperëndimor Urumqi.
Ajo shtoi se Kina po vazhdon të ndërmjetësojë dhe të promovojë dialogun, duke mbajtur komunikim të ngushtë me të dyja palët për të krijuar kushte të përshtatshme dhe për të ofruar një platformë për bisedime. Sipas saj, të tre vendet do të japin informacione të tjera në kohën e duhur.
Përleshjet mes Pakistanit dhe Afganistanit, që nisën në tetor, kanë shkaktuar dhjetëra viktima nga të dyja palët, me Afganistanin që ka pësuar numrin më të madh të humbjeve.
Islamabadi akuzon talebanët afganë se strehojnë militantë islamistë që kryejnë sulme në Pakistan, ndërsa Kabuli i mohon këto akuza, duke i cilësuar aktivitetet militante si problem të brendshëm të fqinjit të tij. (A2 Televizion)