Ushtria ruse kreu sulme me dronë në dy qarqe të qytetit Harkiv në Ukrainë, duke i vrarë dy njerëz dhe duke i plagosur dhjetëra të tjerë mëngjesin e së mërkurës, njoftoi kryetari i Harkivit, Igor Terekhov.
Terekhov tha se janë kryer 17 sulme me dronë, duke përfshirë goditje të drejtpërdrejta mbi ndërtesa shumëkatëshe, shtëpi private, kënde lojërash, biznese dhe transport publik.
Sulmet e fuqishme shkaktuan zjarre në 15 njësi të një ndërtese pesëkatëshe në qarkun Slobidski, dhe disa shtëpi u goditën në qarkun Osnovianski, tha Terekhov.
"Banesat kanë marrë flakë, çatitë janë shkatërruar, makinat janë djegur, dritaret janë thyer", shtoi ai, duke paralajmëruar se mund të ketë njerëz të bllokuar nën rrënoja.
"Po mbahemi. Po ndihmojmë njëri-tjetrin. Dhe, me siguri do t’ia dalim. Harkivi është Ukrainë. Dhe, nuk mund të thyhet", tha Terekhov.
Nëntë të plagosur, përfshirë një vajzë 2-vjeçare dhe një djalë 15-vjeçar, janë shtruar në spital, sipas guvernatorit të rajonit të Harkivit, Oleh Synyehubov.
Rusia i ka përshkallëzuar bombardimet ndaj Ukrainës, pavarësisht bisedimeve për ta ndalur dhunën, të cilat deri tani nuk kanë sjellë përparim, pasi Moska vazhdon ta kundërshtojë një armëpushim të pakushtëzuar.
Sulmi me dronë gjatë natës në qytetin Harkiv ka lënë të paktën tetë persona të plagosur, përfshirë dy fëmijë.
Ky sulm pasoi sulme të tjera të mëdha Harkiv dhe qytete të tjera ukrainase gjatë javës së fundit. Moska ka thënë se bombardimet e pareshtura janë hakmarrje për sulmet me dronë që Ukraina i kreu javë më parë duke i shkatërruar dhjetëra avionë bombardues me rreze të gjatë veprimi në të gjithë Rusinë.
Ndërkohë në Uashington, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha se buxheti i SHBA-së për vitin 2026 do ta zvogëlojë ndihmën ushtarake për Ukrainën.
“Kjo administratë ka një qasje shumë të ndryshme ndaj këtij konflikti", u shpreh Hegseth para një komisioni të Kongresit më 10 qershor.
"Ne besojmë se një zgjidhje e negociuar dhe paqësore është në interesin më të mirë të të dy palëve dhe të interesave të vendit tonë”, shtoi ai.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Heorhiy Tykhiy, tha më herët se ndihma ushtarake nga SHBA-të vazhdon të mbërrijë, dhe se diplomatët ukrainas po punojnë për të siguruar vazhdimësinë e saj.
Ambasadori amerikan në NATO, Matthew Whitaker, tha më 4 qershor se administrata Trump nuk ka marrë ende vendime për ndihmën e ardhshme për Ukrainën, pasi fokusi mbetet tek ruajtja e mundësisë së presidentit Trump për t’i dhënë fund armiqësive. (A2 Televizion)