Shtetet e Bashkuara do t’u kërkojnë vendeve evropiane të paguajnë për ndihmën ushtarake dhe municionet që Uashingtoni u ka dërguar Ukrainës gjatë luftës me Rusinë.
Kështu tha presidenti amerikan Donald Trump në një postim në rrjetet sociale, ku iu rikthye sulmeve ndaj aleatëve evropianë.
Ai kritikoi gjithashtu raportimet për pakësimin e rezervave amerikane të municioneve, veçanërisht në një kohë kur Shtetet e Bashkuara janë përfshirë edhe në konfliktin me Iranin.
Trump tha se SHBA po rrit prodhimin dhe rezervat e municioneve, por se për momentin armët po ruhen për nevojat e vetë ushtrisë amerikane.
“Po i mbajmë për vete, për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vend që t’ua shesim të tjerëve, por shitjet për aleatët do të rifillojnë së shpejti.
Qindra miliarda dollarë iu dhanë Ukrainës dhe NATO-s pa pagesë, ndërkohë që për këto shpenzime do të kishte paguar Evropa, nëse thjesht do t’i ishte kërkuar. Por ne do t’i kërkojmë ato para, edhe pse me disi vonesë!”
Presidenti amerikan pretendoi se gjatë administratës së paraardhësit të tij, Joe Biden, qindra miliarda dollarë iu dhanë Ukrainës dhe NATO-s pa pagesë, ndërsa sipas Trump, vendet evropiane duhet të kishin marrë përsipër një pjesë më të madhe të kostos.
Ndërkohë, shqetësimet për rezervat amerikane të armëve janë shtuar. Reuters raportoi muajin e kaluar se ushtria e SHBA-së ka përdorur një pjesë të konsiderueshme të raketave me rreze të gjatë dhe precizion të lartë gjatë luftës me Iranin.
Luftërat në Ukrainë dhe Iran, si edhe pasojat e tyre ekonomike, mund të ndikojnë nëse republikanët e Trumpit do të mbajnë kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit amerikan edhe vitin e ardhshëm.
Nafta arriti të enjten nivelin më të lartë të gjashtë javëve, mes shqetësimeve për furnizimet globale dhe tensioneve në Ngushticën e Hormuzit. (A2 Televizion)