
Policia e Shkodrës ka arrestuar shtetasit Arjon Beqiri dhe Samuel Bercaj, të cilët ishin shpallur në kërkim për veprimtari kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura.
Të arrestuarit dyshohet se në bashkëpunim me shtetas të tjerë, në muajin janar 2026, në kuadër të operacionit policor të koduar “Neonët 5”, kishin përshtatur 2 banesa në fshatin Barbullush, për kultivimin e bimëve narkotike, me anë të llambave.
Në njoftimin e "bluve" thuhet: “Si rezultat i kontrolleve të vazhdueshme për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, specialistët për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, lokalizuan, kapën dhe ndaluan shtetasit:
* A. B., 28 vjeç, banues në Shkodër; * S. B., 25 vjeç, banues në fshatin Zagorë.
Këta shtetas ishin shpallur në kërkim, pasi Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër kishte nxjerrë urdhër për ndalimin e tyre, si të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)