Vijojnë kërkimet për autorin e plagosjes në Korçë, kontrolle në postblloqe dhe sekuestrim kamerash

Nga Artin Halili
4 Shtator 2026, 08:31 | Kronikë

Vijojnë kërkimet për autorin e plagosjes në

Policia vijon ende kërkimet për Nikolin Tarusha, personin e dyshuar si autor i plagosjes së ndodhur sot në Korçë. Pas ngjarjes, janë ngritur disa postblloqe në akset rrugore, ndërsa automjetet që konsiderohen me interes për hetimin po i nënshtrohen kontrolleve.

Në kuadër të veprimeve hetimore, policia ka sekuestruar edhe pamjet e kamerave të sigurisë të disa bizneseve në zonën ku dyshohet se ka lëvizur autori, me qëllim rindërtimin e itinerarit të tij pas konfliktit.

Ndërkohë, është marrë në pyetje edhe personi i plagosur. Në dëshminë e tij paraprake, ai ka deklaruar se konflikti ka nisur për motive të dobëta dhe më pas ka agravuar deri në përdorimin e armës.

Sipas burimeve, policia dyshon se Nikolin Tarusha , i cili prej vitesh jeton në Angli dhe më herët ka jetuar në Greqi, mund të jetë larguar nga zona dhe të jetë duke u fshehur diku në juglindje.

Pavarësisht kontrolleve dhe postblloqeve të ngritura prej orësh, autori vijon të jetë në kërkim. Grupi hetimor po punon për identifikimin e vendndodhjes së tij dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të plagosjes. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos