GJED kundër paktit Rama-Meloni, zemërimi i Palazzo Chigi: Vendimi është i habitshëm

Nga Erjon Dervishi
1 Gusht 2025, 15:18 | Bota

Gjykata e Lartë e Europiane hodhi poshtë legjitimitetin e listës së "vendeve të sigurta" që Italia përdor për të dërguar emigrantë në Shqipëri dhe për të përshpejtuar kërkesat e tyre për azil, në një goditje të re ndaj një pike kyçe të politikës së qeverisë për migrim. Zyra e kryeministres konservatore Giorgia Meloni, në një deklaratë, e quajti vendimin e gjykatës "të habitshëm" dhe tha se ai "dobëson politikat për të luftuar imigracionin masiv të paligjshëm dhe për të mbrojtur kufijtë kombëtarë".

“Nenet 36 dhe 37, si dhe neni 46(3) i Direktivës 2013/32 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, bashkë me nenin 47 të Kartës së të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian, duhet të interpretohen në kuptimin që ato nuk e pengojnë një Shtet Anëtar të caktojë vendet e treta si vende të sigurta origjine me anë të një akti legjislativ, me kusht që një përcaktim i tillë të mund t'i nënshtrohet shqyrtimit gjyqësor në lidhje me pajtueshmërinë me kushtet thelbësore të një përcaktimi të tillë”, tha Presidenti i gjykatës, Koen Lenaerts.

Meloni e kishte paraqitur zhvendosjen e azilkërkuesve në kampet e ndërtuara në Shqipëri si një gur themeli të qasjes së saj të ashpër ndaj imigracionit, dhe vendet e tjera evropiane e kishin parë idenë si një model të mundshëm, shkruan A2 CNN. Megjithatë, skema hasi kundërshtim ligjor pothuajse menjëherë sapo u lançua vitin e kaluar, me gjykatat italiane që urdhëruan kthimin në Itali të emigrantëve të kapur në det dhe të çuar në Shqipëri, duke përmendur probleme me ligjin e Bashkimit Evropian.

Në një vendim të shumëpritur, Gjykata Evropiane e Drejtësisë me seli në Luksemburg tha se Italia është e autorizuar të përshpejtojë refuzimet e azilit për shtetasit që vijnë nga vendet në një listë "të sigurt" - një parim në zemër të skemës së Shqipërisë. Ajo tha gjithashtu se Italia është e lirë të vendosë se cilat vende janë "të sigurta", por paralajmëroi gjithashtu se një përcaktim i tillë duhet të përmbushë standarde të rrepta ligjore dhe t'u lejojë aplikantëve dhe gjykatave të kenë akses dhe të kundërshtojnë provat mbështetëse.

Në deklaratën e saj, Gjykata e Drejtësisë tha se një gjykatë e Romës iu drejtua gjyqtarëve të BE-së duke përmendur pamundësinë e aksesit në informacion të tillë dhe duke e penguar kështu atë të "sfidojë dhe shqyrtojë ligjshmërinë e një supozimi të tillë sigurie". GJED-ja tha gjithashtu se një vend mund të mos klasifikohet "i sigurt" nëse nuk ofron mbrojtje të mjaftueshme për të gjithë popullsinë e tij, duke rënë dakord në mënyrë efektive me gjyqtarët italianë që e kishin ngritur këtë çështje vitin e kaluar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos