Britania dërgon avion ushtarak në ndihmë të Arabisë Saudite, Huthit kërcënojnë me sulme

Nga A2 CNN
21 Shtator 2026, 23:19 | Bota

Britania dërgon avion ushtarak në ndihmë të Arabisë

Britania e Madhe do t’i ofrojë Arabisë Saudite mbështetje ushtarake mbrojtëse, pas sulmeve të kryengritësve Huthi në Jemen, të mbështetur nga Irani. Mbështetja do të konsistojë në furnizimin ajër-ajër me karburant për avionët luftarakë sauditë, për t’i ndihmuar ata të neutralizojnë raketat dhe dronët që vijnë drejt territorit të vendit.

Sipas informacioneve, operacioni pritet të nisë në ditët në vijim dhe do të përfshijë një avion britanik të tipit Voyager, i cili do të dislokohet nga baza ajrore RAF Akrotiri në Qipro.

Kryeministri britanik tha se vendimi erdhi pas një kërkese të Arabisë Saudite për mbështetje ushtarake, të cilën ai e miratoi pas këshillimit me sekretarin e Mbrojtjes, Wes Streeting, dhe sekretarin e Jashtëm, Ed Miliband.

Zyrtarët britanikë bëjnë të ditur se mbështetja do të jetë e kufizuar në kohë dhe, fillimisht, pritet të zgjasë disa javë.

Huthit janë të përfshirë në një luftë civile kundër qeverisë së Jemenit, të njohur ndërkombëtarisht dhe të mbështetur nga Arabia Saudite. Ditët e fundit, grupi ka pretenduar se ka kryer sulme me dronë dhe raketa balistike ndaj kryeqytetit saudit, Riad, si dhe ndaj objekteve energjetike përgjatë bregdetit të Detit të Kuq.

Sipas autoriteteve britanike, ndihma do të jetë mbrojtëse dhe synon të mbështesë avionët sauditë në rrëzimin e raketave dhe dronëve të lëshuar nga Huthit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos