Tajfuni Dujuan godet Japoninë me viktima dhe të zhdukur, shpallet niveli maksimal i alarmit

Nga A2 CNN
22 Shtator 2026, 08:01 | Bota

Tajfuni Dujuan godet Japoninë me viktima dhe të zhdukur, shpallet

Të paktën dy persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë rezultojnë të zhdukur pasi tajfuni Dujuan goditi bregdetin lindor të Japonisë, duke shkaktuar dëme të mëdha në rajonin e Kantos, përfshirë zonat pranë Tokios.

Sipas autoriteteve japoneze dhe Agjencisë Meteorologjike të Japonisë (JMA), në qytetin Sodegaura të prefekturës Chiba, një 51-vjeçar humbi jetën pasi u përfshi nga një rrëshqitje dheu teksa punonte me një ekskavator për riparimin e një rruge të dëmtuar. Ndërkohë, në Yokosuka të prefekturës Kanagawa, një grua vdiq në banesën e saj pasi ajo u mbulua nga balta e shkaktuar nga një rrëshqitje toke. Në të njëjtin qytet, një çift të moshuarish rreth të 70-ave rezulton i zhdukur.

JMA ka shpallur nivelin më të lartë të alarmit për rrezikun e rrëshqitjeve të dheut në zinxhirin e ishujve Izu. Në zonën e Oshimas janë regjistruar 832 milimetra reshje shiu në vetëm 48 orë, më shumë se dyfishi i mesatares së reshjeve për të gjithë muajin shtator.

Mot i keq ka shkaktuar probleme të mëdha edhe në transport. Kompanitë ajrore All Nippon Airways dhe Japan Airlines kanë anuluar mbi 270 fluturime, kryesisht në aeroportin Haneda të Tokios, duke prekur rreth 40 mijë pasagjerë. Gjithashtu janë pezulluar disa linja hekurudhore lokale në zonën e Tokios dhe në rajonin verilindor Tohoku.

Autoritetet në prefekturën Kanagawa kanë kërkuar ndërhyrjen e Forcave të Vetëmbrojtjes së Japonisë për operacionet e shpëtimit. Edhe pse tajfuni po largohet gradualisht nga arkipelagu, meteorologët paralajmërojnë se rreziku nga rrëshqitjet e dheut, përmbytjet, erërat e forta dhe dallgët e mëdha mbetet ende i lartë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos