SHBA do të hapë dy baza të reja ushtarake në Groenlandë

Nga A2 CNN
22 Shtator 2026, 07:39 | Bota

SHBA do të hapë dy baza të reja ushtarake në Groenlandë

Shtetet e Bashkuara planifikojnë të rihapin një bazë ushtarake të epokës së Luftës së Ftohtë në jug të Groenlandës dhe të krijojnë një tjetër në bregun lindor të ishullit, sipas një marrëveshjeje që pritet të nënshkruhet të martën mes SHBA-së, Danimarkës dhe Groenlandës.

Sipas burimeve të njohura me negociatat, bazat do të vendosen në Narsarsuaq, ku dikur ndodhej baza amerikane Bluie West One, dhe në Mestersvig, një post ushtarak që aktualisht përdoret nga Patrulla Daneze me Slitë Qensh, një njësi e forcave speciale të Danimarkës.

Marrëveshja pritet të nënshkruhet gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork. Detajet e saj nuk janë bërë ende publike dhe, sipas burimeve, do të finalizohen vetëm pas firmosjes.

Shtëpia e Bardhë nuk komentoi për përmbajtjen e marrëveshjes, por deklaroi se ajo do të “garantojë dhe mbrojë sigurinë e Groenlandës dhe të Shteteve të Bashkuara”. Nga ana tjetër, Danimarka ka theksuar se siguria në Arktik do të vendoset nën mbikëqyrjen e NATO-s dhe jo vetëm të SHBA-së dhe Danimarkës.

Marrëveshja vjen pas muajsh presioni nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili ka deklaruar vazhdimisht se dëshiron që SHBA të marrë kontrollin e Groenlandës. Këto deklarata shkaktuan tensione diplomatike brenda NATO-s dhe nxitën negociata mes Uashingtonit, Kopenhagës dhe Nuuk-ut.

Gjatë Luftës së Ftohtë, SHBA kishte 17 instalime ushtarake dhe mbi 10 mijë trupa në Groenlandë. Aktualisht, e vetmja bazë amerikane që mbetet në territor është Pituffik Space Base, ku shërbejnë rreth 150 ushtarakë amerikanë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos