Udhëheqësi opozitar hungarez, Peter Magyar, tha se nuk do të ketë largim të shpejtë nga importet e lëndëve fosile ruse, nëse ai fiton zgjedhjet parlamentare që pritet të mbahen në pranverë.
Kjo çështje është thelbësore në përpjekjet për të ngufatur të ardhurat që Rusia përdor për të financuar pushtimin e Ukrainës, teksa Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje shteteve që të ulin importet e tyre.
“Ne nuk duam t’i heqim [burimet energjetike ruse] nesër, por deri më 2035”, tha Magyar në një intervistë për Shërbimin hungarez të Radios Evropa e Lirë.
“Kjo nuk do të thotë se ne nuk do të blejmë [nga Rusia], por do të thotë se ne do të gjejmë burimet më të lira dhe më të sigurta. Nëse do të ketë një krizë energjetike, duhet të kemi mënyra të shumta të prokurimit” për të plotësuar nevojat energjetike të Hungarisë.
Qëndrimi i Magyarit është i rëndësishëm, pasi partia e tij, Tisza, sipas sondazheve ka epërsi ndaj partisë Fidesz të kryeministrit Viktor Orban. Sipas disa sondazheve, Tisza thuhet se ka një epërsi prej 20 pikë të përqindjes. Orban ka paralajmëruar se Hungaria do të përballet me “kaos dhe varfëri” nëse Magyar fiton zgjedhjet.
Hungaria aktualisht importon rreth 95 për qind të furnizimeve me gaz natyror nga Rusia, ndërkaq gjatë pjesës së parë të vitit 2025, rreth 92 për qind të importeve të naftës së vendit erdhën nga Rusia.
Orban, që ka mbajtur raporte të ngushta me Moskën, ka mbrojtur fuqishëm këto marrëveshje, duke argumentuar se ato janë në interesin kombëtar të Hungarisë.
BE-ja e ka vendosur si objektiv që deri më 2027 të heqë dorë nga importet e energjisë ruse – shumë më shpejt sesa parashikoi Magyari.
Plani i BE-së parashikohet që të realizohet përmes rregullave të tregut të brendshëm të BE-së, që do të thotë se vendimi nuk mund të bllokohet nga Hungaria ose Sllovakia, e cila po ashtu është e varur nga furnizimet ruse.
Presidenti amerikan, Donald Trump, që mbështet Orbanin, ka kërcënuar me vendosjen e tarifave dytësore ndaj shteteve që importojnë naftë ruse dhe ka thënë se tarifa prej 25 për qind që Uashingtoni i vendosi Indisë është shembull që duhet të aplikohet gjithandej.
Udhëheqësi amerikan po ashtu u ka bërë thirrje shteteve evropiane që të veprojnë njësojë dhe të ndalin blerjen e naftës ruse./REL (A2 Televizion)