Sulmi i Huthit, Turqia gati t’i japë ndihmë ushtarake Arabisë Saudite: E papranueshme përfshirja në luftën SHBA-Iran

Nga A2 CNN
20 Shtator 2026, 08:58 | Bota

Sulmi i Huthit, Turqia gati t’i japë ndihmë ushtarake

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, ka deklaruar se Arabia Saudite mund të ketë nevoja ushtarake për shkak të sulmeve të rebelëve Huthi dhe se Turqia do të shqyrtojë mënyrat për të mbështetur mbretërinë, në kuadër të një pakti trepalësh të mbrojtjes.

Duke folur të shtunën për transmetuesin turk NTV, Fidan tha se është e papranueshme që Arabia Saudite të përfshihet në luftën mes SHBA-ve dhe Iranit, duke shtuar se Riadi nuk ka dëshirë t’i bashkohet konfliktit. Ai bëri të ditur se të gjitha palëve u janë përcjellë propozime në përpjekje për t’i dhënë fund luftimeve, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Rebelët Huthi, të mbështetur nga Irani, dhe Arabia Saudite vijojnë shkëmbimin e sulmeve në një luftë që po përshkallëzohet në Jemen. Ndërkohë, Huthët po konsolidojnë fitimet territoriale, duke vënë nën kontroll zona të gjera të bregdetit të Detit të Kuq, përfshirë Ngushticën strategjike të Bab al-Mandebit.

Edhe Pakistani ka bërë një zotim të ngjashëm për mbrojtjen e Arabisë Saudite, në kuadër të paktit të mbrojtjes.

Gjenerallejtënant Ahmed Sharif Chaudhry, zëdhënës i ushtrisë pakistaneze, deklaroi të enjten për “Arab News” se Islamabadi do ta mbronte Arabinë Saudite “deri në çdo masë”, përfshirë edhe me ndërhyrje të drejtpërdrejtë ushtarake. Megjithatë, ai nuk bëri të ditur nëse Riadi kishte kërkuar dërgimin e trupave të tjera pakistaneze.

Ministria e Jashtme e Pakistanit ka deklaruar se aktualisht nuk po diskutohet për ndonjë përgjigje ushtarake në kuadër të paktit, duke shtuar se Islamabadi do të veprojë “kur të vijë momenti”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos