
Militantët Huthi në Jemen, të mbështetur nga Irani, deklarojnë se kanë kryer sulme me dronë dhe raketa balistike ndaj kryeqytetit saudit, Riad, si dhe ndaj objekteve energjetike në bregdetin e Detit të Kuq të Arabisë Saudite.
Autoritetet saudite njoftuan se të shtunën kanë interceptuar dhe shkatërruar një raketë balistike të lëshuar drejt Riadit, pa konfirmuar sulme të tjera apo viktima.
Më herët, tymi të zi u pa të ngrihej nga depozitat e karburantit pranë aeroportit ndërkombëtar të kryeqytetit saudit, ku fluturimet u ndërprenë përkohësisht të shtunën.
Alarmet ajrore u aktivizuan në kryeqytet për herë të parë që prej rritjes së sulmeve të Huthëve, të mbështetur nga Irani, ndaj Arabisë Saudite në muajin korrik.
Departamenti Amerikan i Shtetit u bëri thirrje qytetarëve amerikanë në Lindjen e Mesme që të “tregojnë vigjilencë dhe të jenë të përgatitur për anulime të mundshme fluturimesh dhe ndërprerje të tjera të udhëtimeve”.
“Huthët e mbështetur nga Irani janë përfshirë në armiqësi kundër Arabisë Saudite, përfshirë sulme ndaj aeroporteve civile. Ky konflikt ushtarak ka potencialin të përshkallëzohet me shpejtësi”, thuhet në deklaratën e Departamentit Amerikan të Shtetit.
Më tej, në deklaratë theksohet se qytetarët amerikanë “duhet ta rishqyrtojnë seriozisht udhëtimin drejt dhe përmes këtij rajoni”.
Mbrojtja ajrore ndaloi gjithashtu “përpjekjet armiqësore për të goditur civilët” në qytetet Bish, Taif, Farasan dhe Yanbu, njoftoi në një deklaratë një zëdhënës zyrtar i koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite.
(A2 Televizion)