Paqja Amerikane në Lindjen e Mesme duket se nuk ka zgjatur shumë. Ushtria e Izraelit thotë se ka rrëzuar disa raketa të nisura nga Irani pas hyrjes në fuqi të armëpushimit të vendosur nga presidenti i SHBA-ve, Donald Trump. Ministri i mbrojtjes, Izrael Katz, e quajti këtë një shkelje të paqes së vendosur dhe urdhëroi Forcat e Armatosura që të kundërpërgjigjen ashpër më sulme në shkatërruese në zemër të Teheranit. Më i fortë ka qenë reagimi i ministrit të financave, Bezalel Smotriç. “Teherani do të shkundet”, shkruan ai në rrjete sociale.
Megjithatë Irani ka mohuar të ketë lëshuar një sulm raketor apo ajror kundër Izraelit. Një zyrtar i lartë i sigurisë në Iran i ka thënë CNN-it se pas orës 7:30 të mëngjesit me orën lokale “nuk janë lëshuar ende raketa ndaj armikut”. “Nëse Izraeli bën një gabim, të gjitha territoret e pushtuara do të sulmohen, ashtu si një orë para se të ndalej lufta”, tha zyrtari iranian.
Nuk dihet ende reagimi amerikan për këto zhvillime, ndërsa mesazhi i fundit i Trump për palët ishte ky: “Armëpushimi tani është në zbatim. Ju lutem, mos e shkelni atë!”, shkruan presidenti në rrjetin e tij social, Truth.
Më herët Izraeli dhe Irani pranuan paktin e armëpushimit, por me kushtin që asnjëra palë të mos e shkelë atë. Tel Avivi tha se kishte përmbushur të gjitha objektivat kundër Teheranit. Ndërsa Irani theksoi se Amerikanët ia imponuan Izraelit uljen e armëve. Sulmet e fundit shkaktuan disa viktima dhe të plagosur në të dyja kampet. Armëpushimi erdhi pas hakmarrjes së Iranit ndaj sulmit amerikan të fundjavës ku u bombarduan rëndë 3 impiantet bërthamore dhe pretendohet nga Pentagoni se janë shkatërruar plotësisht aspiratat për armë nukleare. Irani lëshoi disa raketa kundër bazës së SHBA-ve në Doha, në një sulm ku Uashingtoni dhe Katari ishin njoftuar orë përpara se të kryhej. (A2 Televizion)