“Sulmi ndaj Iranit, njëjtë si në Hiroshima”, Trump sulmon CNN sërish: Bërthamori u shkatërrua për dekada

Nga Xhevahir Qardaku
25 Qershor 2025, 15:49 | Bota

Presidenti amerikan, Donald Trump, vazhdon të sulmojë CNN për publikimin e një pjesë të raportit të inteligjencës që nuk konfirmon se impiantet bërthamore të Iranit janë shkatërruar plotësisht. Duke folur para samitit të NATO-s në Hagë, ai pohoi se Irani nuk do të ketë kurrë një armë bërthamore dhe se programi në fjalë është bërë shkrumb e hi për dekada me radhë.

“Ata nuk patën mundësi të nxirrnin asgjë, sepse ne vepruam shpejt. Ndoshta do u duheshin dy javë. Por është shumë e vështirë të largosh atë lloj materiali, shumë e vështirë dhe shumë e rrezikshme për ta që ta largojnë atë. Plus, ata e dinin që ne po vinim, dhe nëse e dinë që po vijmë, nuk do të jenë atje poshtë. Ky ishte një sulm shkatërrues dhe i la ata pa fjalë. Dhe e dini, nëse nuk do të kishte ndodhur, ata nuk do të ishin qetësuar. Ajo goditje i dha fund luftës. Nuk dëshiroj që të përdor një shembull të Hiroshimës apo Nagasakit, por ishte praktikisht e njëjta gjë. Sulmi i dha fund luftës. Nëse nuk do ta bënim, ata do të ishin duke luftuar tani”, tha Trump.

 Pretendimi i tij në takimin me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, u mbështet nga kreu i aleancës, Mark Rutte, Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe ai i Departamentit të Shtetit, Marko Rubio. Zyrtarët e lartë të SHBA-ve konfirmuan nisjen e një hetimi nga FBI për të zbuluar rrjedhjen e informacionit në raportin sekret, të dhënat e të cilit u konsideruan paraprake dhe në fazë përditësimi, shkruan A2 CNN.

“Dhe duke pasur parasysh bombën 13.6 tonëshe dhe aftësinë e atyre municioneve, ishte shkatërrim nën Fordo. Dhe sasia e municioneve, gjashtë për vendndodhje, çdo vlerësim që ju thotë se ishte diçka tjetër është spekulim me motive të tjera, politike. Dhe ne e dimë këtë sepse kur e shikoni raportin, meqë ra fjala, ishte një raport tepër sekret, ishte paraprak, ishte me besim të ulët”, u shpreh Pete Hegseth, sekretar i Mbrojtjes i SHBA.

Presidenti amerikan njoftoi dhe një fitore tjetër për atë që e quajti ushtrinë më të fortë në botë. Trump deklaroi se sulmet ndaj objekteve bërthamore të Iranit po kontribuojnë edhe në arritjen e një marrëveshje për të përmbyllur konfliktin në Gaza, mes Izraelit dhe Hamasit.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos