Plani i ri i mbrojtjes së NATO-s, Rutte: Nëse dikush bën gabimin të na sulmojë, të mos dyshojë në kapacitetet tona

Nga A2 CNN
25 Qershor 2025, 14:47 | Bota

Plani i ri i mbrojtjes së NATO-s, Rutte: Nëse dikush bën gabimin

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se vendet e NATO-s janë më të sigurta tani, pas miratimit të planit të ri të mbrojtjes, nëse dikush bën gabimin të sulmojë qoftë edhe një shtet të aleancës.

“Me këtë plan aleatët kanë rënë dakord të investojnë 5% të GDP-së në mbrojtje. Me këtë objektiv sigurohemi që të zmbrapsim kërcënimet dhe të mbrojmë çdo shtet aleat, nëse dikush bën gabimin të na sulmojë”, tha Rutte në një konferencë për mediat në mbyllje të samitit, raporton A2 CNN.

“Vendimet e marra sot do ta bëjnë NATO-n më të fortë. Jemi të përkushtuar ndaj artikullit 5. Askush nuk duhet të dyshojë për kapacitetin apo vendosmërinë tonë nëse preket siguria jonë”, shtoi ai.

Aleatët e NATO-s ranë dakord të më shumë se dyfishojnë objektivin e tyre për shpenzimet për mbrojtjen, nga 2% në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2035. Në një deklaratë të përbashkët, aleanca theksoi se ishte “e bashkuar përballë kërcënimeve dhe sfidave të thella të sigurisë”, veçanërisht nga kërcënimi afatgjatë që paraqet Rusia për sigurinë euroatlantike dhe “kërcënimi i vazhdueshëm” nga terrorizmi.

“Aleatët angazhohen të investojnë çdo vit 5% të PBB-së për nevojat bazë të mbrojtjes, si dhe për shpenzimet e lidhura me mbrojtjen dhe sigurinë deri në vitin 2035, për të garantuar detyrimet tona individuale dhe kolektive,” thuhet më tej në deklaratë.

Shifra 5% përfshin 3.5% të PBB-së që duhet të shpenzohet për mbrojtjen e mirëfilltë, dhe 1.5% shtesë për infrastrukturë kritike të lidhur me mbrojtjen dhe sigurinë, për të garantuar – sipas deklaratës – “gatishmërinë dhe qëndrueshmërinë civile, nxitjen e inovacionit dhe forcimin e bazës industriale të mbrojtjes”.

Aleatët do të detyrohen të dorëzojnë plane vjetore “që tregojnë një rrugë të besueshme dhe graduale drejt këtij objektivi”, sqaroi NATO-ja, pas kundërshtimeve të shprehura nga disa shtete anëtare, veçanërisht Spanja.

Kjo lëvizje historike vjen në një kohë tensionesh në Lindjen e Mesme dhe të luftës së vazhdueshme midis Ukrainës dhe Rusisë. Aleatët janë shtyrë drejt këtij objektivi edhe pas presioneve të vazhdueshme gjatë të dy mandateve të presidentit amerikan Donald Trump që Kanadaja dhe vendet evropiane të marrin përsipër më shumë barrën e mbrojtjes kolektive.

Të mërkurën, aleanca gjithashtu ripohoi “angazhimin e palëkundur ndaj mbrojtjes kolektive” siç përcaktohet në Nenin 5 – se një sulm ndaj njërit është sulm ndaj të gjithëve – pas pikëpyetjeve të ngritura për besueshmërinë e SHBA-së në lidhje me këtë shtyllë themelore të NATO-s. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos