
Tre persona u vranë pasi ushtria amerikane goditi një anije që dyshohej se ishte e përfshirë në trafik droge në Oqeanin Paqësor Lindor.
Sipas Komandës Jugore të SHBA (SOUTHCOM), anija po lëvizte përgjatë rrugëve të njohura të trafikut të drogës dhe dyshohej se operohej nga organizata të shpallura terroriste. Pamjet e publikuara nga ushtria tregojnë mjetin duke lëvizur me shpejtësi në det, përpara se të goditej dhe të shpërthente në flakë, shkruan A2 CNN.
Ky sulm është pjesë e një serie operacionesh që kanë nisur që nga shtatori, dhe sipas të dhënave të përpiluara nga agjencitë ndërkombëtare, numri i viktimave ka arritur në të paktën 185 persona.
Zyrtarët amerikanë konfirmuan se gjatë operacionit nuk pati të lënduar nga forcat e tyre, ndërsa fushata ushtarake në rajon vazhdon të zgjerohet mes kritikave ndërkombëtare.
Këto operacione kanë shkaktuar debate të forta ligjore dhe politike. Ekspertë të së drejtës dhe organizata për të drejtat e njeriut kanë ngritur shqetësime se sulmet mund të përbëjnë vrasje jashtëgjyqësore, pasi SHBA nuk ka paraqitur prova të qarta që anijet e goditura ishin realisht të përfshira në trafik droge.
Administrata e Donald Trump i ka justifikuar këto veprime duke i cilësuar si pjesë e një “konflikti të armatosur” me kartelet e drogës dhe si një masë e nevojshme për të frenuar hyrjen e narkotikëve në SHBA.
(A2 Televizion)