“Izraeli nuk ka mundur do të shkatërrojë impiantet bërthamore të Iranit, por sulmet e kësaj fundjave duket se janë një sinjal, që Republika Islamike të kthehet në tavolinën e bisedimeve me SHBA-në për programin e saj bërthamor”. Kështu u shpreh politologu Enver Robelli në “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Megjithatë, sipas tij, Irani e ka shumë të vështirë t’i bëjë ballë sulmeve izraelite. “Duket se hendeku mes retorikës së regjimit në Iran dhe mundësive reale, është shumë i madh. Për shkak të sanksioneve, Irani nuk mund të riparojë as avionët. Të mos harrojmë se para një viti u rrëzua helikopteri i Presidentit të Iranit dhe humbi jetën. Më 31 korrik të vitit të kaluar, Izraeli eliminoi shefin e Hamasit, më vonë shefi i Hezbollaut”, tha ai.
“Në thelb, mundësitë i kanë shumë të kufizuara. Tani për tani jemi në fazën e paralajmërimeve, që të heqë dorë nga programi bërthamor dhe të ulet në tavolinën e negociatave. Por mendoj se nuk do të ndodhë. Sepse regjimi është shumë i obsesionuar pas bombës atomike saqë ka krijuar edhe shumë ekspertizë, prandaj nuk besoj se vrasja e ekspertëve do të ketë efekt shumë të madh në frenimin e programit”, shtoi Robelli. (A2 Televizion)