
Autoritetet amerikane të emigracionit po përdorin një arsenal të gjerë teknologjik për të identifikuar jo vetëm emigrantët pa dokumente, por edhe qytetarë amerikanë që protestojnë kundër pranisë së tyre në Minneapolis. Sipas një hetimi të publikuar nga The New York Times, agjentët e Immigration and Customs Enforcement (ICE) kanë përdorur njohjen e fytyrës, monitorimin e rrjeteve sociale dhe mjete të tjera dixhitale për të ndjekur protestues dhe vëzhgues civilë.
Rasti i Nicole Cleland, një vullnetare 56-vjeçare nga Richfield, ka ngritur shqetësime të mëdha. Ajo tregoi se një agjent i ICE e ndaloi dhe iu drejtua me emër, duke i thënë se po përdorte teknologji të njohjes së fytyrës dhe se kamera e trupit ishte aktive. Cleland tha se nuk kishte dhënë asnjë pëlqim për regjistrimin e fytyrës së saj dhe nuk e kishte takuar më parë agjentin.
Sipas burimeve aktuale dhe ish-zyrtarëve të Departamentit të Sigurisë Kombëtare (DHS), ICE po përdor dy programe të njohjes së fytyrës në Minnesota, përfshirë Clearview AI dhe Mobile Fortify. Krahas tyre, agjencia po shfrytëzon mjete për monitorimin e telefonave dhe rrjeteve sociale, si dhe një bazë të dhënash të ndërtuar nga kompania Palantir, e cila kombinon të dhëna qeveritare dhe komerciale për të gjurmuar vendndodhjen e individëve në kohë reale, shkruan A2 CNN.
Këto praktika kanë ngjallur reagime të forta nga organizatat për të drejtat civile. ACLU ka ngritur padi ndaj DHS, duke e cilësuar përdorimin e kombinuar të këtyre teknologjive si një zgjerim të paprecedentë të fuqisë së qeverisë për mbikëqyrje. Ndërkohë, DHS ka deklaruar se nuk do të zbulojë detaje mbi metodat e përdorura, duke theksuar se teknologjia përdoret ligjërisht për zbatimin e ligjit.
Pas përplasjes me agjentin, Cleland mori një njoftim se privilegjet e saj të udhëtimit Global Entry dhe TSA ishin revokuar pa shpjegim. Ajo tashmë është bashkuar në një padi gjyqësore, duke kërkuar përgjigje dhe transparencë mbi veprimet e autoriteteve. (A2 Televizion)