Irani ekzekuton një person të akuzuar për spiunazh

Nga A2 CNN
30 Prill 2025, 12:07 | Bota

Irani ekzekuton një person të akuzuar për spiunazh

Një iranian, i dënuar për spiunazh dhe bashkëpunim të inteligjencës me Izraelin, është ekzekutuar më 30 prill, raportoi media shtetërore iraniane.

I përfshirë për dekada të tëra në një luftë në hije me Izraelin, Irani ka dënuar me vdekje shumë persona që i ka akuzuar se kishin pasur lidhje me shërbimin izraelit të inteligjencës, Mossad, dhe për ndihmën e operacioneve të këtij shërbimi në Iran, veçanërisht për vrasje apo akte sabotimi, që Teherani thotë se synonin minimin e programit bërthamor të tij.

Sipas agjencisë së lajmeve të gjyqësorit iranian, Mizan, i pandehuri u identifikua si Mohsen Langarneshin. Ai ishte akuzuar për përfshirje në disa raste, përfshirë në vdekjen e një koloneli të Gardës Revolucionare Islamike më 2022.

“Gjatë dy vjetëve sa ai ka spiunuar, ai ishte përgjegjës për veprime të rëndësishme, përfshirë mbështetjen e operacioneve terroriste dhe ishte i pranishëm në vendin ku u vra Sayad Khodaei”, tha media shtetërore.

Sipas autoriteteve, Langarneshin kishte ofruar mbështetje operacionale për një sulm në një qendër industriale në Isfahan, që është e lidhur me Ministrinë e Mbrojtjes.

Media shtetërore iraniane po ashtu pretendoi se Langarneshin kishte pranuar fajësinë për akuzat.

Ndryshe, koloneli i Gardës iraniane, Sayyad Khodaei ishte vrarë nga një sulmues i armatosur, teksa ai ishte jashtë shtëpisë së tij në Teheran. Mediat izraelite e kishin përshkruar Khodaein si një figurë të rëndësishme “që qëndronte prapa komploteve për të vrarë izraelitë dhe hebrenj” dhe për sulme ndaj interesave hebraike në mbarë botën.

Në raportin vjetor për të drejtat e njeriut, organizata Amnesty International tha më 29 prill se Irani “në mënyrë arbitrare” ka ekzekutuar qindra persona vitin e kaluar, teksa autoritetet “përdorin dënimin me vdekje si mjet për shtypje politike ndaj protestuesve, disidentëve dhe minoriteteve etnike”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos