Irani kërcënon Europën: Do ta paguani shtrenjtë nëse heshtni për sulmet e SHBA dhe Izraelit

Nga A2 CNN
5 Mars 2026, 16:41 | Bota

Irani kërcënon Europën: Do ta paguani shtrenjtë nëse

Irani ka lëshuar një paralajmërim të fortë ndaj Europës, duke deklaruar se vendet e Bashkimit Europian do të “paguajnë çmimin” për heshtjen e tyre ndaj sulmeve të ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kundër Iranit.

Në një intervistë për mediat e huaja, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, kritikoi atë që e quajti mungesë reagimi nga vendet europiane, duke argumentuar se heshtja e tyre përbën në fakt miratim të këtyre sulmeve, raporton Daily Mail, përcjell A2 CNN.

Ai deklaroi se vendet e BE-së do ta “paguajnë çmimin herët a vonë”, duke shtuar se Irani i konsideron veprimet e SHBA-së dhe Izraelit si shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

Komentet e Baghaeit vijnë në një kohë kur përplasjet mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit kanë hyrë në ditën e gjashtë, ndërsa gjithnjë e më shumë vende po përfshihen në konflikt dhe po përballen me sulme.

Gjatë natës, Izraeli dhe Irani kanë shkëmbyer sulme të reja. Ushtria iraniane njoftoi se kishte lëshuar disa dronë sulmues me rreze të gjatë veprimi të tipit Arash, duke pretenduar se ata goditën rezervuarë karburanti në bazën ajrore Ramat David në Izrael.

Ndërkohë, disa sulme izraelite pranë kryeqytetit të Libanit kanë lënë të paktën tetë persona të vdekur dhe gjashtë të plagosur. Mediat libaneze raportuan se sulmet goditën një rrugë që të çon drejt Aeroportit Ndërkombëtar “Beirut-Rafik Hariri”, duke cituar Ministrinë e Shëndetësisë së vendit.

Po ashtu, një cisternë që lundronte në brigjet e Kuvajtit u trondit nga një “shpërthim i madh”. Ndërkohë, disa dronë goditën ndërtesën e terminalit në aeroportin ndërkombëtar të Nakhchivanit në Azerbajxhan, ndërsa një tjetër ra pranë një shkolle në fshatin Shakarabad, duke plagosur dy persona.

Autoritetet e Azerbajxhanit kanë deklaruar se Irani është përgjegjës për sulmin, një akuzë që Teherani e mohon, duke fajësuar Izraelin për këto goditje.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos