
Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer, tha sot se vendimi për të mos mbështetur dhe për të mos marrë pjesë në fushatën e bombardimeve të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit kundër Iranit është i drejtë. Ky veprim ka tërhequr kritika të forta nga presidenti amerikan Donald Trump.
“Qëndrimi britanik se mënyra më e mirë, si për regjimin ashtu edhe për botën, është një zgjidhje e negociuar me Iranin, ku ata heqin dorë nga ambiciet e tyre bërthamore”, tha Starmer gjatë një konference për shtyp në rezidencën e tij zyrtare në Downing Street, në Londër, përcjell A2 CNN.
Ai shtoi se vendimi për të mos iu bashkuar veprimeve ushtarake “ishte në interesin kombëtar dhe unë i qëndroj këtij vendimi”.
Britania e Madhe ka lejuar Shtetet e Bashkuara të përdorin bazën e saj ajrore në ishullin mesdhetar të Qipros për të nisur sulme bombarduese, por thekson se prania e vet ushtarake në rajon është vetëm me karakter mbrojtës.
Starmer tha gjithashtu se katër avionë luftarakë Typhoon do t’i bashkohen Skuadronit të 12-të të Forcave Ajrore Mbretërore në Katar, ndërsa Mbretëria e Bashkuar përpiqet të mbrojë interesat e saj dhe sigurinë e aleatëve në rajon. Britania do të dërgojë gjithashtu javën e ardhshme një anije luftarake, HMS Dragon. (A2 Televizion)