Presidenti amerikan Donald Trump i ka dhënë një ultimatum Hamasit që të lirojë të gjithë pengjet, ose në të kundërt do të përballet me pasojat.
"Ata duhet të lirojnë të gjithë pengjet ose do të ketë pasoja. I paralajmërova. Të gjithë duan që pengjet të kthehen në shtëpi. Të gjithë duan që kjo luftë të mbarojë! Izraelitët pranuan kushtet e mia. Është koha që edhe Hamasi t'i pranojë ato", paralajmëroi Trump në Truth.
"E paralajmërova Hamasin për pasojat nëse refuzojnë. Ky është paralajmërimi im i fundit, nuk do të ketë më!" kërcënoi presidenti amerikan.
Nga ana e tij Hamasi thotë se është gati "të ulet menjëherë në tryezën e negociatave". Një burim pranë Hamasit i tha Ynet se organizata terroriste nuk e refuzon propozimin e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për të liruar të 48 pengjet në ditën e parë të një marrëveshjeje të mundshme në këmbim të lirimit të mijëra të burgosurve palestinezë, përfshirë qindra terroristë të dënuar.
Sipas burimit, "Hamasi beson se është e nevojshme të sqarohen disa aspekte, veçanërisht marrëdhënia midis numrit të pengjeve të liruara dhe numrit të të burgosurve që Izraeli do të lironte".
Ndërkohë forcat izraelite kanë intensifikuar bombardimet në qytetin e Gazës, duke shënjeshtruar ndërtesat më të larta.
"Po shkatërrojmë infrastrukturën terroriste, po shembim kullat e terrorit", tha kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, duke marrë përgjegjësinë për ofensivën e re të IDF-së kundër rrokaqiejve të Qytetit të Gazës në një mbledhje të kabinetit.
Për tre ditë rresht, ndërtesat më të larta të qytetit janë shënjestruar, të cilat Izraeli pretendon se "përdoren nga Hamasi si pika vëzhgimi për të monitoruar pozicionin e trupave izraelite".
Një ditë më parë kulla Al-Ruya u shndërrua në rrënoja, e treta që shembet brenda 72 orëve.
Sulmi ndaj Kullës Al-Ruya të dielën erdhi ndërsa forcat izraelite vranë të paktën 65 persona në të gjithë Rripin e Gazës, përfshirë 49 në pjesën veriore të enklavës së rrethuar. (A2 Televizion)