Autoritetet talibane në Afganistan kanë dënuar ashpër sulmet ajrore të Izraelit ndaj objektivave në Iran, duke i cilësuar ato si një shkelje të hapur të së drejtës ndërkombëtare dhe një burim të rrezikshëm për përshkallëzimin e pasigurisë në rajon, shkruan A2 CNN.
Në një deklaratë të shpërndarë në rrjetin social X (ish-Twitter), zëdhënësi i qeverisë talibane, Zabihullah Mujahid, tha se sulmet që lanë të vrarë komandantë ushtarakë dhe shkencëtarë bërthamorë iranianë, përbëjnë “një shkelje të qartë të parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare, në veçanti të sovranitetit kombëtar”.
“Vazhdimi i këtyre veprimeve që nxisin tensione e ka bërë situatën në rajon edhe më të brishtë dhe më shqetësuese”, shkroi Mujahid.
Autoritetet talibane, të cilat nuk e njohin Izraelin si shtet, kanë bërë thirrje për vetëpërmbajtje dhe angazhim të palëve ndërkombëtare në parandalimin e përhapjes së mëtejshme të pasigurisë dhe destabilitetit në Lindjen e Mesme.
Irani është një ndër vendet e pakta që ka mbajtur marrëdhënie diplomatike të afërta me regjimin taliban që prej marrjes së pushtetit në Afganistan në vitin 2021, ndonëse Teherani ende nuk e ka njohur zyrtarisht qeverinë e tyre.
Kjo deklaratë vjen në një moment kur tensionet midis Iranit dhe Izraelit janë në nivelin më të lartë ndër vite, pas një vale sulmesh ajrore që Tel Avivi ka kryer mbi objektiva strategjike iraniane në përgjigje të kërcënimeve bërthamore dhe mbështetjes së Teheranit për grupet militante në rajon. (A2 Televizion)