"Kërcënoi sigurinë kombëtare", dënohet me 5 vjet burg shkrimtari algjerian

Nga A2 CNN
27 Mars 2025, 13:36 | Bota

"Kërcënoi sigurinë kombëtare", dënohet me 5

Gjykata e Dar El Beida, në kryeqytetin e Algjerisë, dënoi sot shkrimtarin algjerian të natyralizuar francezin Bualem Sansal me pesë vjet burg dhe një gjobë prej 500,000 dinarë (3,571 euro).

Sipas mediave ndërkombëtare Sansal u shpall fajtor për "sulm të unitetit kombëtar, fyerje të një organi të krijuar, akte të dëmshme për ekonominë kombëtare dhe posedim të videove dhe publikimeve që kërcënojnë sigurinë dhe stabilitetin e vendit".

Dënimi përfshin gjithashtu sekuestrimin e pajisjeve dhe materialeve që ishin në zotërim  të shkrimtarit kur ai u arrestua në aeroportin e Algjerit në mes të nëntorit, pasi mbërriti nga Parisi.

Gjatë gjykimit të mbajtur të enjten e kaluar në gjykatën Dar El Beida, në lindje të Algjerit, prokurori publik kishte kërkuar 10 vjet burg për shkrimtarin dhe një gjobë prej një milion dinarë (7150 euro). Duke iu përgjigjur gjykatësit, Sansal mohoi të gjitha akuzat kundër tij, duke thënë se ai "thjesht po ushtronte të drejtën e tij për lirinë e shprehjes".

I pandehuri, i cili dukej se ishte në gjendje të mirë shëndetësore, kishte deklaruar, sipas mediave algjeriane, se ai "asnjëherë nuk kishte për qëllim të dëmtonte shtetin" dhe se "nuk ishte në dijeni se disa nga deklaratat e tij mund të ishin ofenduese për institucionet kombëtare". (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos