Një deklaratë e pazakontë nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka shkaktuar habi dhe debat në rrjetet sociale, vetëm pak ditë pas përfundimit të Kampionatit Botëror për Klube që u mbajt në SHBA.
Gjatë një interviste Trump ka rrëfyer se ai është në posedim të trofeut origjinal të turneut, ndërsa Chelsea, fituesi zyrtar i kompeticionit, sipas tij, ka marrë vetëm një kopje.
Sipas versionit të dhënë nga Trump, FIFA i kishte kërkuar që të mbante përkohësisht trofeun në Zyrën Ovale përpara nisjes së turneut, por më pas kreu i saj, Gianni Infantino, nuk e kërkoi më kurrë mbrapsht.
“FIFA më tha: ‘Mund ta mbash për pak kohë këtë trofe?’ dhe e vendosëm në Zyrën Ovale. Më vonë pyeta: ‘Kur do ta merrni?’ dhe Gianni m’u përgjigj: ‘Nuk do ta marrim më, është i yti,’” deklaroi Trump.
Kjo histori nuk është konfirmuar ende nga FIFA apo nga klubi i Chelseat, të cilët nuk kanë dalë me ndonjë reagim zyrtar. Megjithatë, lajmi ka bërë xhiron e rrjeteve sociale dhe ka ndezur diskutime mbi të vërtetën pas këtij pretendimi. (A2 Televizion)