Kremlini: S’ka datë për takimin Putin-Trump, asgjë nuk është finalizuar

Nga Rosalba Bejdo
21 Tetor 2025, 15:19 | Bota

Kremlini thotë se ka paqartësi lidhur me takimin e mundshëm, Trump-Putin në Budapest dhe se asnjë datë nuk është përmendur deri më tani. Reagimi erdhi pasi CNN raportoi për pezullim të takimit përgatitor mes sekretarit të shtetit Rubio dhe ministrit të jashtëm Lavrov këtë javë.

Duke komentuar mundësinë që bisedimet putin Trump të shtyhen, zëdhënësi Dmitri Peskov u shpreh: “Ne nuk mund të shtyjmë diçka që nuk është finalizuar ende. As presidenti Trump dhe as putin nuk kanë dhënë data të sakta. Nevojiten përgatitje shumë serioze”, përcjell A2 CNN.

Ai shtoi se për momentin Moska nuk ka dijeni se kur mund të takohen 2 presidentët. Ndërkohë ministri i Jashtëm Lavrov ofroi më shumë detaje sa I përket telefonatës që kishte zhvilluar një ditë më parë me sekretarin e shtetit Marko Rubio. Ai tha se armëpushimi në Ukrainë nuk do te zgjidhte shkaqet e konfliktit.

"Unë dhe Rubio diskutuam se si paraqitet situata aktualisht dhe si mund të përgatisim një variant të një takimi tjetër, i propozuar të mbahet në Budapest nga presidenti Trump. Gjithsesi, gjëja më e rëndësishme nuk është as vendi dhe as koha. Ajo që ka më shumë rëndësi është se si do të ecim konkretisht përpara me detyrat që janë rënë dakord në parim në Alaskë. Ramë dakord të vazhdojmë këto kontakte telefonike për të kuptuar më mirë ku ndodhemi dhe si të lëvizim në drejtimin e duhur. U habita kur lexova sot në CNN se takimi Putin-Trump mund të shtyhet, meqë – sipas tyre– pas telefonatës sime të djeshme me Marco Rubio, 'zyrtarët amerikanë kanë arritur në përfundimin se qëndrimi i Rusisë nuk ka ndryshuar së fundmi dhe është ende në përputhje me kërkesat e saj maksimaliste fillestare'. Paanësia e shumicës së mediave perëndimore është famëkeqe, dhe CNN nuk bën përjashtim. Dua ta konfirmoj zyrtarisht. Rusia nuk e ka ndryshuar qëndrimin e saj krahasuar me konceptet e arritura gjatë bisedimeve të gjata mes Putinit dhe Trumpit në Alaskë. Këto koncepte bazohen në mirëkuptimin që u arrit atje dhe atëherë. Atë që Presidenti Trump e shprehu mjaft qartë kur tha se kemi nevojë për paqe të qëndrueshme dhe afatgjatë, jo për një armëpushim të menjëhershëm që nuk do të çojë askund. Ne qëndrojmë plotësisht besnikë ndaj kësaj formule. Dhe e konfirmova këtë dje gjatë bisedës me Marco Rubion”, tha Lavrov. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos