Rruga për në Budapest, Polonia paralajmëron Putinin: Do arrestohesh nëse hyn në hapësirën tonë ajrore

Nga A2 CNN
21 Tetor 2025, 13:51 | Bota

Rruga për në Budapest, Polonia paralajmëron Putinin: Do

Polonia e ka paralajmëruar Vladimir Putinin se nuk mund të fluturojë në hapësirën ajrore polake gjatë rrugës së tij për në Budapest, ku do të takohet me Donald Trump. Varshava thotë se në rast se avioni i shefit të Kremlinit shkel hapësirën e tyre ajrore, autoritetet polake mund të detyrohen të ekzekutojnë urdhrin e arrestit të lëshuar kundër tij nga Gjykata Ndërkombëtare Penale.

Gjykata Ndërkombëtare Penale me seli në Hagë lëshoi një urdhër arresti kundër presidentit rus në vitin 2023 pas akuzave për rrëmbimin e qindra fëmijëve nga Ukraina dhe transferimin e tyre në Rusi, por Moska nuk e njeh juridiksionin e saj dhe i mohon akuzat.

“Nuk mund të garantoj që një gjykatë e pavarur polake nuk do ta urdhërojë qeverinë të detyrojë aeroplanin të ulet me qëllim që të dorëzojë të dyshuarin në gjykatën e Hagës”, tha Ministri i Jashtëm polak Radoslaw Sikorski për Radio Rodzina.

“Unë besoj se pala ruse është në dijeni të kësaj. Dhe, si pasojë, nëse ky samit do të zhvillohet, shpresoj me pjesëmarrjen e viktimës së sulmit (Ukraina), aeroplani do të përdorë një rrugë tjetër”, shpjegoi Sikorski.

Hungaria, kryeministri i së cilës mban marrëdhënie të ngrohta me Putinin, ka thënë se do të sigurojë një rrugë që presidenti rus të mund të hyjë dhe të dalë nga vendi.

Megjithatë, nëse dëshiron të shmangë hapësirën ajrore ukrainase, delegacioni rus do të detyrohet të kalojë nëpër hapësirën ajrore të të paktën një vendi të Bashkimit Evropian. Të gjitha vendet e BE-së janë anëtare të Gjykatës Ndërkombëtare Penale, ndërsa Hungaria në veçanti është në proces tërheqjeje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos