Kryetari i Kongresit: Trump ka vepruar si “informator i FBI-së” për çështjen Epstein

Nga A2 CNN
6 Shtator 2025, 17:26 | Bota

Kryetari i Kongresit: Trump ka vepruar si “informator i FBI-së”

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, Mike Johnson, ka deklaruar se Presidenti Donald Trump ka vepruar dikur si “informator i FBI-së” në lidhje me skandalin e Jeffrey Epstein. “Kur dëgjoi për herë të parë thashethemet, ai e përzuri nga Mar-a-Lago. Ai ishte një informator i FBI-së për të ndihmuar në çmontimin e kësaj çështjeje”, u shpreh Johnson në një intervistë të shkurtër me gazetarin e CNN, Manu Raju.

Deklarata e Johnson erdhi ndërsa ai kundërshtonte përpjekjen e kongresmenit Thomas Massie, i cili po kërkon me një peticion të detyrojë publikimin e të ashtuquajturave “dosje Epstein”, shkruan A2 CNN. Sipas Johnson, nisma është “e pabazë” dhe “e panevojshme”.

I pyetur për komentet e Trump-it, i cili më herët kishte cilësuar pjesë të debatit rreth Epstein si një “mashtrim”, Johnson sqaroi: “Është keqinterpretuar. Ai nuk po thotë se çfarë bëri Epstein është një mashtrim. Ai e konsideron atë një të keqe të tmerrshme”.

Megjithatë, Johnson nuk specifikoi saktësisht se kë kishte për qëllim kur foli për një “informator,” dhe deri më tani nuk ekziston asnjë dokument publik që të provojë se Trump apo Epstein kanë pasur ndonjë rol të tillë pranë FBI-së.

Jeffrey Epstein, financieri i dënuar për abuzime seksuale, u gjet i vdekur në qelinë e tij në Nju Jork në vitin 2019, në rrethana që ende nxisin teori konspirative. Autoritetet e kanë cilësuar vetëvrasje, por një pjesë e madhe e opinionit amerikan vijon të dyshojë për një mbulim të së vërtetës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos