Vrasja e Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, në sulmet e përbashkëta SHBA–Izrael të së shtunës, shënon një moment kthese për Republikën Islamike, duke larguar figurën që për më shumë se tre dekada ka qenë autoriteti më i lartë politik, ushtarak dhe ideologjik i vendit.
Kleriku 86-vjeçar ushtronte pushtet që shtrihej mbi forcat e armatosura, sistemin gjyqësor dhe politikën e jashtme të Iranit, me vendime që mbizotëronin mbi ato të presidentëve dhe parlamentit, shkruan A2.
Që nga marrja e drejtimit në vitin 1989, pas vdekjes së themeluesit të Republikës Islamike, Ruhollah Khomeini, Khamenei e udhëhoqi Iranin përmes pasojave të luftës Iran-Irak, sanksioneve të ashpra perëndimore, izolimit diplomatik, valëve të përsëritura të trazirave të brendshme dhe përballjes në rritje me Uashingtonin dhe Tel Avivin.
Për mbështetësit, ai ishte mbrojtësi i palëkundur i sovranitetit të Iranit përballë presionit të jashtëm. Për kritikët, simbol i një sistemi politik të pakompromis, rezistent ndaj reformës dhe kundërshtimit. Si udhëheqës suprem, ai shërbente si kreu i shtetit dhe komandant i përgjithshëm, duke ruajtur autoritetin përfundimtar mbi forcat e armatosura dhe Gardën Revolucionare Islamike. Khamenei lindi më 19 prill 1939 në Mashhad, në lindje të Iranit, në një familje modeste fetare. Pas përfundimit të arsimit fillor, ai ndoqi studimet islame në seminarin e Mashhadit dhe më pas trajnim të avancuar teologjik në Qom. Njihej gjithashtu për interesimin e thellë për poezinë dhe letërsinë.
Në fillim të viteve ‘60, ai iu bashkua lëvizjes së Ajatollah Khomeinit kundër Shahut Mohammad Reza Pahlavi. Duke nisur nga viti 1963, u arrestua disa herë nga SAVAK-u, shërbimi sekret i Shahut, për organizimin e protestave dhe shpërndarjen e literaturës kundër regjimit, duke kaluar periudha të shumta në internim. Kur protestat masive përfshinë Iranin në vitet 1978–1979 dhe dobësuan monarkinë, Khamenei u rikthye në jetën publike, duke ndihmuar në organizimin e demonstratave dhe mobilizimin e mbështetjes për agjendën revolucionare të Khomeinit.
Pas Revolucionit Islamik të vitit 1979, Khamenei iu bashkua Këshillit Revolucionar dhe u ngjit shpejt në strukturën e re politike. Ai shërbeu si zëvendësministër i mbrojtjes, imam i faljes së së premtes në Teheran dhe deputet.
Në vitin 1981, pas atentatit ndaj Presidentit Mohammad Ali Rajai, Khamenei u zgjodh president dhe shërbeu dy mandate radhazi deri në vitin 1989. Po atë vit, ai i mbijetoi një atentati, kur një bombë e fshehur në një magnetofon shpërtheu gjatë një fjalimi në xhami, duke i dëmtuar përgjithmonë krahun e djathtë.
Pas vdekjes së Khomeinit në qershor 1989, Asambleja e Ekspertëve e emëroi Khamenein Udhëheqës Suprem, ndërsa ndryshimet kushtetuese e formalizuan këtë post si kulmin e sistemit politik.
Megjithëse fillimisht u pa si një zgjedhje kompromisi, ai gradualisht konsolidoi autoritetin, duke forcuar zyrën e udhëheqësit suprem mbi pushtetin ekzekutiv dhe atë legjislativ. Nën drejtimin e tij, Irani ndoqi një politikë të jashtme të fokusuar në rezistencën ndaj ndikimit amerikan, zgjerimin e aleancave rajonale dhe ruajtjen e parandalimit strategjik.
Gjatë viteve 1990, ai e forcoi edhe më tej kontrollin e tij mbi pushtetin, duke eliminuar kundërshtarët dhe duke shpërblyer ata që i qëndronin besnikë. Edhe poetë që Khamenei dikur kishte shprehur admirim për ta, u vunë në shënjestër nga shërbimet e sigurisë. Disidentët jashtë vendit u ndoqën sistematikisht, ndërsa marrëdhënia me Hezbollahun — të cilin Garda Revolucionare Islamike kishte ndihmuar ta themelonte pas revolucionit — u forcua dhe u thellua më tej.
Gjatë sundimit të tij, politika iraniane lëvizi mes reformistëve dhe konservatorëve. Fitorja e reformistit Mohammad Khatami në vitin 1997 ngjalli optimizëm, por përpjekjet për hapje ndaj Perëndimit u kufizuan nga Khamenei.
Zgjedhjet e diskutueshme të vitit 2009, gjatë presidencës së Mahmoud Ahmadinejad, shkaktuan protesta masive. Administratat e mëvonshme balancuan mes pragmatizmit dhe vijës ideologjike të ashpër.
Në vitin 2022, vdekja e Mahsa Amini në paraburgimin e policisë së moralit nxiti protesta mbarëkombëtare që ekspozuan pakënaqësi të thella shoqërore.
Protesta të reja shpërthyen në fund të vitit 2025, fillimisht për vështirësi ekonomike, por më pas u shndërruan në demonstrata masive kundër regjimit. Pergjigjia e regjimit ishte me pergjakshmja e udheheqjes se Khameneit. Sipas autoriteteve iraniane, mbi 3,100 persona humbën jetën, përfshirë civilë dhe forca sigurie. Programi bërthamor iranian ishte një nga çështjet përcaktuese të sundimit të Khameneit. Në vitin 2015, Teherani arriti pranoi marreveshje, duke kufizuar aktivitetet bërthamore në këmbim të lehtësimit të sanksioneve. Khamenei e miratoi procesin, por mbeti thellësisht skeptik ndaj Uashingtonit. Marrëveshja u shemb pasi SHBA, nën Presidentin Donald Trump, u tërhoq në vitin 2018 dhe rivendosi sanksionet, duke shtyrë Iranin të reduktonte përmbushjen e detyrimeve. Vdekja e Khameneit vjen në një moment kur Uashingtoni dhe Teherani ishin të angazhuar në negociata indirekte për çështjen bërthamore, me kërkesa të forta nga të dyja palët. Mbështetja për çështjen palestineze ishte qendrore në botëkuptimin e Khameneit. Pas luftës së Izraelit në Gaza në tetor 2023, ai intensifikoi retorikën kundër Izraelit dhe SHBA-së. Një shtyllë kyçe e strategjisë iraniane ishte mbështetja për aleatë rajonalë si Hezbollahu në Liban dhe grupe të armatosura në Irak e Jemen, pjesë e asaj që zyrtarët iranianë e quajnë “Boshti i Rezistencës”.
Khamenei mbeti kritik i fortë i politikave amerikane dhe izraelite, duke i paraqitur si kundërshtarët kryesorë të Iranit. Tensionet u përshkallëzuan pas sulmeve ajrore izraelite ndaj objektivave iraniane vitin e kaluar dhe kundërpërgjigjeve nga Teherani. Në deklaratën që njoftoi vdekjen e tij, Presidenti Trump tha se Khamenei “nuk mundi t’i shmangej sistemeve tona të inteligjencës dhe gjurmimit të sofistikuar” dhe përsëriti thirrjen që “populli iranian të rimarrë vendin e tij”. Vdekja e Khameneit largon nga skena një prej figurave më me ndikim në politikën moderne të Lindjes së Mesme — një lider që formësoi identitetin ideologjik të Iranit, aleancat rajonale dhe përballjen dekadash me Perëndimin. Pasiguria që tashmë përballet Teherani mund të jetë po aq përcaktuese sa vetë sundimi i tij, ndërsa Irani hyn në një fazë të ndjeshme tranzicioni dhe tensione të larta rajonale. (A2 Televizion)