Një shpatë mbi arkivol dhe kapela që e bëri të njohur si “Kasapin e Ballkanit”. Serbia i dha lamtumirën e fundit kriminelit famëkeq të luftës së Bosnjës, Ratko Mladiç, që vdiq në burgun e Hagës, ku vuante dënimin e përjetshëm për krime lufte, kundër njerëzimit dhe për akte gjenocidi. Megjithatë, për qindra mijëra serbë ai konsiderohet një hero dhe fakti që u nderua me një funeral shtetëror, i kryesuar nga Patriarku Profirije, tregon shumë për një shtet që ende ka mbetur pas në historinë më të errët të Ballkanit.
“Është shumë e rëndësishme për mua që të bëj homazhe për gjeneralin tonë, të cilin nuk e ndihmuam dot si njerëz të zakonshëm, për fat të keq. Nëse do të kishim mundësi, nuk do ta dorëzonim kurrë”, thotë Slavica Malesinoviç, serbe nga Bosnje dhe Hercegovina. “Edhe Krishti u linçua nga turma dhe u shpall fajtor. Koha do ta tregojë dhe vetëm koha është gjykatësi më i mirë. Do ta shikoni se çfarë personi i mirë ishte dhe ku e kishte vendin”, thotë Jovan Vinçiç, serb nga Beogradi.
Mediat raportojnë se 350 mijë njerëz u dyndën nëpër rrugët e Beogradit për funeralin e njeriut që organizoi masakrën e Srebrenicës, duke vrarë më shumë se 8 mijë burra dhe djem myslimanë.
Arkivolin e kriminelit Ratko Mlladiç e kaluan krah më krah, ndërsa prezentë në marshimin e fundit ishin ministra serbë, kryebashkiakë, ambasadori rus, ish-ministri grek Panos Kamenos dhe Danilo Vuçiç, djali i presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.
Ky i fundit nuk mori pjesë në funeral, pasi siç tha, priti homologun nga Uzbekistani në një vizitë zyrtare. Megjithatë, shumë besojnë se kjo i atribuohet kritikave nga Bashkimi Europian ndaj zyrtarëve të Serbisë për shkak të nderimit të një krimineli si “kasapi i Ballkanit”, Ratko Mladiç. (A2 Televizion)
