Ky automjet i ndaluar nga policia kushton deri në 300 mijë euro dhe u përfshi në aksionin për verifikimin e origjinës së blerjes. Të paktën 15 mjete u kaluan në filtër të thelluar në 24 orë nga blutë për të kontrolluar burimin e të ardhurave dhe se cili është pronari real.
Operacioni u zbatua në Tiranë mbështetur në ligjin për Policinë e Shtetit. Nga dyshimet e krijuara për mundësinë financiare të drejtuesit materialet kaluan në prokurori për verifikim financiar dhe nëse justifikojnë pasurinë në rastin konkret automjetin luksoz. Në shumicën e rasteve në timon nuk kanë qenë pronarët e regjistruar, shkruan A2 CNN.
Për shkak të dyshimeve se mund të kenë përdorur emrat e tjerë për t'i shpëtuar verifikimit pasuror të dy palët kanë kaluar nën verifikim financiar.
Burime nga policia bëjnë me dije se në fokus të kontrolleve janë automjetet që dyshohet se mund të jenë përfituar nga veprimtaria kriminale, si dhe ato që mund të jenë objekt i trafikimit të paligjshëm.
Kontrollet janë përqendruar vetëm te automjetet me vlerë mbi 50 mijë euro dhe janë kryer përmes një aparature të posaçme, e cila mundëson kontrollin dhe verifikimin e të dhënave identifikuese të automjetit.
Pas verifikimit në sistem, për automjetet e evidentuara janë kryer kontrolle të mëtejshme lidhur me pronësinë, origjinën dhe historikun e blerjes, shitjes dhe posedimit të tyre. (A2 Televizion)
