“Për kufirin vendosin presidentët”, amerikanët përfundojnë bisedimet në Ukrainë: S’ka përparim

Nga Xhevahir Qardaku
7 Shtator 2026, 14:27 | Bota

Raundi i parë i bisedimeve mes zyrtarëve amerikanë dhe ukrainas përfundoi. Emisarët Jared Kushner dhe Steve Witkof arritën në Kiev përmes trenit të paqes, por këtë të fundit nuk e sollën dot nga Moska. Kështu bisedimet mes presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe emisarëve amerikanë të Donald Trump, u përmbyllën pa një zgjidhje përfundimtare për çështjen territoriale. LIderi i Kievit deklaroi se territori mbetet një nga nyjat kryesore të negociatave dhe se çështje të tilla komplekse mund të zgjidhen vetëm në nivel presidentësh.

“Duhet të bëjmë gjithçka për të siguruar që të zhvillohen takime trepalëshe. Ose mund të jetë një takim trepalësh plus partnerët europianë. Do të shohim se me çfarë do të pajtohet Rusia”, tha Zelensky.

Presidenti ukrainas theksoi gjithashtu nevojën për garanci të forta sigurie, duke e cilësuar ushtrinë ukrainase si një nga shtyllat kryesore të sigurisë së vendit pas luftës. Në tryezën e bisedimeve u diskutuan edhe ndihma për dimrin, mbrojtja ajrore, energjia dhe furnizimi me gaz natyror të lëngshëm amerikan.

“Pala amerikane do të rrisë vëllimet e prodhimit të raketave balistike, Patriotëve dhe sistemeve Patriot për vitin e ardhshëm. Ne presim që do të jemi në gjendje që të mbyllim luftën, me vullnetin e Zotit, por ne do të vazhdojmë të kemi nevojë për ato armë. Ne mbështetemi në sisteme të tilla për të mbrojtur vendin tonë”, shtoi Zelensky.

Nga ana tjetër, Steve Witkoff tha se për arritjen e një marrëveshjeje do të nevojiten kompromise nga Rusia dhe Ukraina, ndërsa Uashingtoni ka përgatitur një paketë propozimesh të mbështetur nga Donald Trump. Në fazën e fundit të bisedimeve morën pjesë edhe përfaqësues europianë, ndërsa Ukraina, Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja pritet të zhvillojnë së shpejti një tjetër takim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos