
Dy turistë nga Belgjika kanë mbetur të bllokuar në një terren të thepisur dhe me dëborë në zonën e “Qafës së Valbonës”, në Alpet shqiptare.
Ngjarja është raportuar rreth orës 14:00, kur turistët, teksa po eksploronin zonën, nuk kanë mundur të vijonin lëvizjen për shkak të kushteve të vështira të terrenit.
Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, në bashkëpunim me ekipin e kërkim-shpëtimit të Valbonës, kanë organizuar menjëherë operacionin për gjetjen dhe ndihmën ndaj tyre.
Pas disa orësh kërkime në këmbë, dy turistët janë lokalizuar në vendin e quajtur “Qafa e Valbonës” dhe janë nxjerrë në mënyrë të sigurt nga zona e rrezikshme. (A2 Televizion)