Lufta kalon kufirin e Ukrainës dhe shkon në vendin që e nisi atë, në Rusi. Një dron goditi një fabrikë në rajonin perëndimor të Smolenskut në Rusi, duke vrarë 7 persona dhe duke plagosur disa të tjerë, tha guvernatori i atij rajoni, shkruan A2 CNN. Ministria e mbrojtjes e Moskës pretendon se gjatë natës, forcat ukrainase lëshuan 51 dronë kundër territorit rus dhe 18 kundër Krimesë, e aneksuar nga Rusia në vitin 2014.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha se “Perëndimi e ka shndërruar regjimin e Kievit në një përbindësh të pangopur”. Kjo vjen ndërsa në Kombet e Bashkuara u miratua rezoluta e Ukrainës për armëpushim dhe kthimin e të gjithë të larguarve. Zhvillimi është përshëndetur nga presidenti Volodymyr Zelenski, që njofton një takim shumë të rëndësishëm me amerikanët në Zvicër, përpara atij me rusët.
“Rustem Umerov do të ketë një takim me negociatorët amerikanë nesër, një takim me Kushnerin, dhe gjithashtu do të jetë atje me Ministrin e Ekonomisë. I pari është një takim dypalësh me amerikanët. Çështja e parë është Paketa e Prosperitetit. Çështja e dytë është se ata do të përgatiten për një takim trepalësh, i cili do të zhvillohet me Rusinë, dhe sipas mendimit tonë, do të zhvillohet në fillim të marsit”, tha Zelensky.
Presidenti Zelensky theksoi se pretendimet ruse që Ukraina po përpiqej të siguronte armë bërthamore ishin një përpjekje për të ushtruar presion mbi Kievin gjatë bisedimeve të paqes që po vazhdojnë. Ai konfirmoi në një konferencë për shtyp se Ukraina nuk kishte armë bërthamore dhe se nuk synonte që të posedonte një të tillë. (A2 Televizion)