
Kryeministri indian, Narendra Modi nis vizitën dyditore në Izral, pritet me një përqafim të ngrohtë nga homnologu Benjamin Netanyahu.
Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, zbriti të mërkurën në Izrael për një vizitë dy ditore, të cilën të dy vendet e konsiderojnë një mundësi për forcimin e marrëdhënieve ndër-shtetërore. Kjo ndodh në një kohë kur rriten shqetësimet për një konflikt të mundshëm ushtarak mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, shkruan A2 CNN.
Modi, i cili në vitin 2017 u bë kryeministri i parë indian që vizitoi Izraelin, pritet të zhvillojë bisedime me homologun e tij Benjamin Netanyahu për inteligjencën artificiale dhe bashkëpunimin në mbrojtje, në një moment kur Izraeli synon të rrisë eksportet ushtarake.
Zyrtarët izraelitë kanë deklaruar se vizita do të “hapë rrugën për partneritete dhe bashkëpunime të reja në shumë fusha”. Gjatë qëndrimit, Modi pritet të mbajë një fjalim në parlamentin izraelit dhe të vendosë një kurorë me lule në memorialin e Holokaustit “Yad Vashem”.
Vizita zhvillohet në një moment tensioni të lartë rajonal, pasi SHBA ka dislokuar një forcë të madhe detare pranë brigjeve të Iranit, ndërsa negociatat për programin bërthamor të Teheranit mbeten në vendnumëro.
Analistët theksojnë se Nju Delhi nuk dëshiron përshkallëzim konflikti në rajon, ndërsa zyrtarët izraelitë kanë bërë të ditur se gjatë takimeve pritet të diskutohen edhe çështje me dimension rajonal. Në një mbledhje qeveritare këtë javë, Netanyahu e përshkroi Indinë si pjesë të një “boshti të ardhshëm” vendesh me mendësi të ngjashme përballë asaj që ai e quajti “boshti radikal shiit” dhe “boshti radikal sunit në zhvillim”.
Edhe pse India është e interesuar për të blerë armatime izraelite, ajo mundohet të ruajë statusin e neutralitetit në arenën ndërkombëtare dhe ndaj, ajo nuk është bërë haptazi palë me asnjërin prej vendeve në konflikt. (A2 Televizion)