
Kanada planifikon të ndihmojë Kubën, ndërsa ishulli përballet me mungesa karburanti pasi Shtetet e Bashkuara ndërmorën hapa për të bllokuar furnizimet drejt ishullit. Uashingtoni ka përshkallëzuar një fushatë presioni kundër ishullit të drejtuar nga komunistët dhe kundërshtarit afatgjatë të SHBA-së në javët e fundit.
Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka lëvizur për të bllokuar të gjithë naftën që arrin në Kubë, përfshirë atë nga Venezuela, duke rritur çmimet e ushqimeve dhe transportit dhe duke shkaktuar mungesa karburanti si dhe ndërprerje të energjisë për orë të tëra. “Ne po përgatisim një plan për të ndihmuar. Në këtë moment nuk jemi gati të japim detaje të mëtejshme për një njoftim”, tha të hënën ministrja e Jashtme kanadeze Anita Anand.
Organizata e Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar se nëse nevojat energjetike të Kubës nuk plotësohen, kjo mund të shkaktojë një krizë humanitare. Kanadaja tha javën e kaluar se po monitoronte situatën në Kubë dhe ishte e shqetësuar për “rrezikun në rritje të një krize humanitare” atje.
Pas rrëzimit të Maduros, Trump ka folur vazhdimisht për veprime kundër Kubës dhe për ushtrimin e presionit mbi udhëheqjen e saj.
Uashingtoni dhe Otava kanë pasur gjithashtu tensione nën presidencën e Trump për çështje si tarifat tregtare, retorika e Trump ndaj Groenlandës dhe përpjekjet e Otavës për të forcuar marrëdhëniet me Kinën. Trump ka thënë se “Kuba do të dështojë shumë shpejt”, duke shtuar se Venezuela, dikur furnizuesi kryesor i ishullit, nuk ka dërguar kohët e fundit naftë apo para në Kubë.
Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut ka deklaruar se operacioni amerikan në të cilin u kap Maduro ishte një shkelje e së drejtës ndërkombëtare. Ekspertët e të drejtave të njeriut e kanë cilësuar politikën e jashtme të Trump dhe fokusin e tij te shfrytëzimi i naftës venezuelase dhe presioni ndaj Kubës si një qasje që i ngjan imperializmit. (A2 Televizion)