Tridhjetë e nëntë persona besohet se janë vranë dhe mbi njëqind të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve izraelite pranë dy qendrave të shpërndarjes së ndihmave në Gaza, sipas Mbrojtjes Civile të Gazës.
Një zëdhënës tha se sulmet ndodhën pranë dy qendrave të shpërndarjes së ndihmave, njëra në jug të Khan Younis dhe tjetra në veri të Rafah, të drejtuara nga Fondacioni Humanitar i Gazës.
Numri i mëparshëm, sipas të njëjtit burim, ishte 32 të vdekur dhe 100 të plagosur. Fondacioni Humanitar i Gazës deklaroi se raportet për vdekje pranë objekteve të tij ishin "të rreme".
E kontaktuar nga AFP, ushtria izraelite tha se kishte identifikuar "të dyshuar" në zonën e Rafah që i ishin afruar ushtarëve. Kur ata refuzuan të përmbushnin kërkesat për t'u larguar, ushtarët hapën zjarr "si paralajmërim".
Zyrtarët ushtarakë pranuan se kishin marrë raporte për viktima gjatë incidentit, i cili sipas tyre ndodhi natën rreth një kilometër nga qendra e ndihmës, e cila ishte e mbyllur në atë kohë. "Po hetojmë", siguruan ata.
Sakaq, dhjetëra mijëra izraelitë protestuan në qendër të Tel Avivit për të kërkuar një marrëveshje që do të garantonte lirimin e të gjithë pengjeve në Rripin e Gazës, sipas mediave izraelite.
Mediat izraelite raportojnë se protestuesit marshuan nëpër qendër të Tel Avivit duke mbajtur pankarta dhe duke brohoritur slogane që bënin thirrje për përfundimin e luftës dhe kthimin e menjëhershëm të pengjeve.
Ish-pengje të liruara nga Hamasi thuhet se morën pjesë gjithashtu në marshim. Pjesëmarrësit u bënë thirrje të drejtpërdrejta udhëheqësve izraelitë dhe Presidentit të SHBA-së Donald Trump që të punojnë drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse. Gazeta tha se qindra protestues mbajtën protesta të ngjashme në qytete të tjera izraelite. (A2 Televizion)