“Mbrojtën atdheun tonë si të tyrin”, Putin falënderon ushtarët e Koresë së Veriut dhe “shokun” Kim për çlirimin e Kursk

Nga A2 CNN
28 Prill 2025, 10:05 | Bota

“Mbrojtën atdheun tonë si të tyrin”, Putin

Presidenti rus Vladimir Putin shprehu mirënjohjen e tij personale për liderin e Koresë së Veriut Kim Jong Un teksa vlerësonte rolin e ushtarëve të Koresë së Veriut në dëbimin e trupave ukrainase nga rajoni rus i Kursk.

"Miqtë tanë koreanë vepruan me një ndjenjë solidariteti, drejtësie dhe miqësie të vërtetë. Ne e vlerësojmë shumë këtë dhe i jemi sinqerisht personalisht mirënjohës kryetarit të Komisionit të Çështjeve Shtetërore, shokut Kim Jong Un, të gjithë udhëheqjes dhe popullit të DPRK”, thuhet në deklaratë.

Koreja e Veriut konfirmoi sot për herë të parë se kishte dërguar trupa për të luftuar për Rusinë në luftën në Ukrainë nën urdhrat e Kim dhe se kishte ndihmuar në rimarrjen e kontrollit të territorit rus të mbajtur nga Ukraina.

Ukraina, megjithatë, deklaroi të dielën, se forcat e saj po vazhdojnë luftimet në territorin rus.

Putin vlerësoi sot "heroizmin, nivelin e lartë të trajnimit special dhe përkushtimin e ushtarëve koreanë", për të cilët tha se "morën pjesë aktive në betejat në rajonin e Kurskut dhe mbrojtën atdheun tonë si të tyrin".

"Populli rus nuk do ta harrojë kurrë arritjen e luftëtarëve të forcave speciale koreane”, vazhdoi Putin, duke shprehur më tej besimin se marrëdhëniet midis Moskës dhe Phenianit "do të vazhdojnë të forcohen në një mënyrë të suksesshme dhe dinamike në të gjitha frontet".

Në qershor 2024, Rusia dhe Koreja e Veriut nënshkruan një marrëveshje mbrojtëse që parashikonte mbrojtje të ndërsjellët në rast të një sulmi ndaj secilit vend. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos