Ukraina dhe Rusia mbyllën ditën e dytë të bisedimeve të ndërmjetësuara nga SHBA në Abu Dhabi, ditën e enjte, me një marrëveshje të rëndësishme mbi shkëmbimin e të burgosurve, e para e këtij lloji në pesë muaj.
I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff, tha se delegacionet e SHBA-së, Ukrainës dhe Rusisë kishin rënë dakord të shkëmbenin 314 të burgosur lufte, 157 nga secila palë. Teksa vlerësoi se ka ende punë përpara, Witkoff tha se përpjekjet e shtuara diplomatike për t’i dhënë fund luftës kishin filluar të jepnin rezultate.
Po ashtu, Ukraina dhe Rusia i cilësuan bisedimet si pozitive, megjithatë çështja më e rëndësishme, ajo e territorit, mbetet e pazgjidhur. Rusia pretendon që Ukraina të heqë dorë nga pjesa që ende kontrollon në rajonin e Donbasit, diçka që Kievi e kundërshton, shkruan A2 CNN.
Ndërkohë, në një intervistë për France 2 TV, si rrallë herë, presidenti Zelenski foli për shifrat e ushtarëve të vrarë, duke thënë se 55 mijë prej tyre kishin humbur jetën në katër vite lufte. Megjithatë, shifra reale besohet të jetë shumë më e lartë, ndërsa, siç pranoi edhe vetë Zelenski, shumë veta janë regjistruar si të humbur. (A2 Televizion)