Medvedev flet për plane agresive, Rusia ‘mësyn’ Kosovën: T’i kthehet Serbisë sa më parë

Nga Xhevahir Qardaku
25 Gusht 2026, 12:16 | Bota

Rusia hedh sytë nga Kosova, për të ndihmuar Aleksandër Vuçiç para zgjedhjeve. Përfaqësuesi i përhershëm i Moskës në OSBE, Aleksandër Vlogarev, në një seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të Përhershëm pati një kërkesë absurde, sipas asaj që raportojnë mediat ruse.

Aleksandër Volgarev, përfaqësues i Rusisë në OSBE: “Për të shmangur realizimin e një skenari katastrofik, është e nevojshme të punohet drejt kthimit të shpejtë dhe të plotë të Kosovës dhe Metohisë nën administrimin e Beogradit. Kjo jo vetëm që do të rivendosë drejtësinë historike, por do të kontribuojë edhe në forcimin e stabilitetit në Ballkan. Për më tepër, kërkimi i një zgjidhjeje duhet të kryhet në përputhje të rreptë me dispozitat e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.”

Ai u përpoq të arsyetonte kërkesën e tij me narrativën dhe propagandën e zakonshme të Serbisë, se sipas tyre, Kosova po bën spastrim etnik të serbëve dhe i përndjek ata. Madje zyrtari rus pretendon se që nga viti 2021 deri tani janë kryer 800 sulme me motive etnike ndaj serbëve, ndërsa përmend pa fakte se serbët janë popull indigjen në zonë. Ai dënon hetimet për krime lufte në Kosovë dhe fajëson misionet ndërkombëtare nën kujdesin e NATO-s, BE-së dhe OKB-së që nuk ndërhyjnë.

Një sulm më të ashpër ndaj tyre pati zëvendës kryetari i Këshillit të Sigurisë në Rusi, Dmitry Medvedev, që tha se vendi i tij nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj planeve agresive të kundërshtarëve.

Dmitry Medveded, Zv.kryetar i Këshillit të Sigurisë, Rusi: “Ne e dimë tashmë: pavarësisht se sa bindëse janë argumentet tona, kundërshtarët perëndimorë do të vazhdojnë të shtyjnë për rrugën e tyre, duke ndjekur vijën e armikut dhe duke iu përmbajtur standardeve të dyfishta. Nuk ka nevojë të shkosh larg për një shembull - ja ku është Kosova. Ata e pranuan me kënaqësi. Megjithëse ndryshimet midis ngjarjeve në këtë rajon serb dhe katastrofave në Abkhazi dhe Osetinë e Jugut, të cilat 'Perëndimi Kolektiv' nuk i pranoi, janë mjaft të dukshme për çdo person të arsyeshëm.”

Megjithatë, ndryshe nga çdo rast tjetër, pavarësia e Kosovës është konfirmuar me ligj nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos