
Singapori thotë se mësuesit mund të përdorin rrahjen me shkop (“caning”) ndaj nxënësve që nga mosha 9-vjeçare në kuadër të strategjisë së re kundër bullizmit.
Ministri i Arsimit i Singaporit, Desmond Lee, konfirmoi se mësuesit lejohen të përdorin caning si masë disiplinore ndaj nxënësve problematikë në raste të caktuara, përcjell A2CNN.
“Shkollat tona përdorin caning si masë disiplinore nëse të gjitha masat e tjera rezultojnë të pamjaftueshme, duke marrë parasysh seriozitetin e sjelljes së gabuar,” tha Lee në parlament të martën, duke iu përgjigjur pyetjeve lidhur me masat e reja kundër bullizmit të shpallura më 15 prill – përfshirë edhe pyetjen mbi ndikimin e mundshëm në shëndetin mendor të fëmijëve 9-vjeçarë që ndëshkohen fizikisht.
“Ato ndjekin protokolle të rrepta për të garantuar sigurinë e nxënësit. Për shembull, caning duhet të miratohet nga drejtori dhe të kryhet vetëm nga mësues të autorizuar,” u tha ai ligjvënësve, ndërsa kuadri i ri do të zbatohet në të gjitha shkollat e Singaporit nga viti 2027.
“Shkollat do të marrin në konsideratë faktorë si pjekuria e nxënësit dhe nëse caning do ta ndihmojë atë të mësojë nga gabimi dhe të kuptojë seriozitetin e veprimit të tij,” tha Lee.
“Shkollat ushtrojnë diskrecion nëse do të përdorin caning si masë disiplinore pas vlerësimit të rrethanave të shkeljes së kryer,” shtoi ai.
“Kjo qasje bazohet në kërkime që tregojnë se fëmijët dhe të rinjtë mësojnë të bëjnë zgjedhje më të mira kur ekzistojnë kufij të qartë të zbatuar me pasoja të forta dhe kuptimplota,” tha Lee, duke pretenduar se kjo ndihmon në uljen e bullizmit.
Udhëzimet, të publikuara në faqen e Ministrisë së Arsimit, specifikojnë se vetëm nxënësit meshkuj mund të ndëshkohen me shkop.
“Caning është një opsion disiplinor vetëm për djemtë dhe vetëm për shkelje serioze, si mjet i fundit, kur është absolutisht i nevojshëm,” thuhet aty.
Ndëshkimi trupor në shkolla është bërë gjithnjë e më i rrallë në shumë pjesë të botës gjatë dekadave të fundit.
Megjithatë, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka vlerësuar se nga një e katërta deri në gjysmën e fëmijëve në botë përjetojnë ndëshkim trupor në shkolla dhe ka bërë thirrje për ndalimin e praktikës.
“Pasojat e ndëshkimit trupor ndaj fëmijëve mund të zgjasin gjatë gjithë jetës dhe të dëmtojnë shëndetin fizik dhe mendor, arsimin, si dhe funksionimin social dhe profesional,” tha WHO në një raport të publikuar në gusht 2025.
“Tani ekzistojnë prova shkencore dërrmuese se ndëshkimi trupor ndaj fëmijëve sjell shumë rreziqe dëmtimi dhe nuk ka asnjë përfitim për fëmijët, prindërit apo shoqëritë,” shtoi organizata.
Singapori, një qendër e vogël, shumë e zhvilluar dhe e pasur financiare në Azinë Juglindore, njihet për ligjet e tij të rrepta.
Në fund të prillit, një adoleshent francez u akuzua për dy vepra penale që mund ta çojnë në burg deri në dy vjet pasi dyshohet se lëpiu një pipëz në një makinë shitëse me lëng portokalli dhe më pas e vendosi përsëri në dispenser. Nuk është hera e parë që një i ri i huaj bie ndesh me ligjet e rrepta të Singaporit.
Një nga rastet më të njohura ndodhi në vitin 1993, kur amerikani Michael Fay u arrestua për posedim sendesh të vjedhura dhe vandalizëm ndaj disa makinave me bojë sprej.
Fay, i cili ishte 18 vjeç në atë kohë, u dënua me katër muaj burg dhe gjashtë goditje me shkop, dënim që më pas u reduktua në katër goditje pasi rasti shkaktoi reagim ndërkombëtar dhe ndërhyrjen e presidentit amerikan të asaj kohe, Bill Clinton.
Singapori e zbatoi ndëshkimin pavarësisht presionit të fortë nga SHBA-të, duke këmbëngulur se ishte e rëndësishme të zbatoheshin ligjet e veta edhe për shtetasit e huaj, gjë që tensionoi përkohësisht marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Singaporit. (A2 Televizion)