
Ministrja e Jashtme Varsen Aghabekian akuzoi Izraelin se po kërkon shembjen e Autoritetit Palestinez dhe kolonët izraelitë se po terrorizojnë palestinezët në Bregun Perëndimor çdo ditë, përcjell A2CNN.
“Kjo duhet të ndalet menjëherë,” tha ajo. “Gjendja e popullsisë civile palestineze duhet të jetë prioritet kryesor”.
Aghabekian tha se nuk ka asnjë justifikim që Izraeli të pengojë hyrjen e materialeve për strehim në Gaza dhe të kufizojë ndihmën dhe aksesin për punonjësit humanitarë. Ajo shtoi se armëpushimi në Gaza duhet të respektohet dhe se përpjekjet e Izraelit për “zhvendosje të detyruar dhe aneksim”, jo vetëm në Gaza, por edhe në Bregun Perëndimor dhe në Jeruzalemin Lindor, duhet të ndalen.
Ndërsa faza e dytë e planit të paqes për Gazën po fillon, ajo tha: “Ne ritheksojmë vizionin tonë për një shtet, një qeveri dhe një ushtri, si dhe nevojën për tërheqjen e plotë të Izraelit nga Rripi i Gazës”.
Aghabekian tha në një mbledhjeje ministrore të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të martën se tranzicioni i Gazës duhet të jetë në përputhje me ribashkimin e saj me Bregun Perëndimor nën Autoritetin Palestinez, “duke çuar drejt vetëvendosjes palestineze dhe shtetësisë së pavarur”. (A2 Televizion)